Ermonela Jaho i jep lamtumirën rolit ikonik të Violetës në “La Traviata”
Një nga kapitujt më të rëndësishëm të karrierës së sopranos shqiptare Ermonela Jaho është mbyllur në skenën e Teatro Costanzi në Romë.
Artistja interpretoi për herë të fundit Violetën në operën “La Traviata” të Giuseppe Verdit, personazhin që e shoqëroi për më shumë se dy dekada dhe e bëri një nga emrat më të vlerësuar në skenat operistike ndërkombëtare.
Gjatë karrierës së saj, Jaho e ka sjellë Violetën rreth 300 herë në teatro prestigjioze si Royal Opera House në Londër, Metropolitan Opera në New York, Opera National de Paris, Bayerische Staatsoper dhe Teatro Real në Madrid.
Interpretimi i saj është duartrokitur vazhdimisht nga publiku dhe kritika për forcën emocionale, thellësinë dramatike dhe ndjeshmërinë e veçantë që i ka dhënë këtij personazhi.
Edhe shfaqja e fundit në Romë u prit me vlerësime të shumta. Kritikët theksuan se Ermonela Jaho nuk mjaftohet ta interpretojë Violetën, por e përjeton atë në çdo moment të saj, duke kthyer çdo frazë muzikore, gjest dhe fjalë në emocion të vërtetë.
Vlerësimet më të mëdha i mori akti i tretë i operës, i konsideruar si një nga interpretimet më prekëse të realizuara ndonjëherë në këtë rol.
Produksioni, që shënon dhjetëvjetorin në repertorin e Operës së Romës, është realizuar nga regjisorja Sofia Coppola, me skenografi të Nathan Crowley dhe kostume të krijuara nga Valentino Garavani.
Drejtimi muzikor ishte në duart e dirigjentit Francesco Ivan Ciampa, ndërsa në role të tjera u ngjitën në skenë tenori Dmitry Korchak në rolin e Alfredos dhe baritoni Amartuvshin Enkhbat si Giorgio Germont.
Për kritikën ndërkombëtare, Ermonela Jaho mbetet një nga interpretueset më të mëdha të Violetës në dy dekadat e fundit, falë mënyrës se si ka bashkuar mjeshtërinë vokale me një interpretim thellësisht njerëzor.
Me këtë shfaqje, sopranoja shqiptare nuk mbyll vetëm një rol të suksesshëm, por edhe një kapitull të rëndësishëm të historisë së saj artistike, duke lënë pas një trashëgimi që do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm. /telegrafi