Ndahet nga jeta shkrimtari për fëmijë Avdi Shala
Është ndarë nga jeta shkrimtari i njohur për fëmijë, Avdi Shala, një prej krijuesve të përkushtuar të letërsisë shqipe për brezat e rinj.
Lajmi është bërë i ditur nga Shtëpia Botuese FAD në Prishtinë, e cila ka shprehur ngushëllime për familjen Shala, të afërmit, miqtë dhe komunitetin letrar.
Avdi Shala lindi më 1942 në Kishnarekë të Drenasit. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje dhe në Komoran, ndërsa studimet universitare në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në degën Gjuhë dhe Letërsi.
Gjatë karrierës së tij profesionale punoi si mësimdhënës në disa vendbanime të Drenicës, në Mitrovicë dhe në Kastriot, ndërsa pjesën më të madhe të veprimtarisë e zhvilloi si gazetar në gazetën “Kosova” të ish-Elektroekonomisë së Kosovës.
Shala la pas një opus të pasur krijues në poezi, tregime, romane dhe drama, duke u dalluar veçanërisht për krijimtarinë letrare për fëmijë.
Ndër veprat e tij janë “Lulishtja”, “Xum, xum, xum”, “Vocërraku me tufën e rrezeve”, “Pikniku i shkronjave”, “Gjuha e luleve”, “Abetarja ime”, “Njeriu me kapelë të verdhë”, “Viti i ikjeve”, “Një piknik me tre kreshnikë”, “Dielli me dritare”, “Fëmija i padukshëm”, “Lulnaja” dhe “Miushi magjistar”.
Për krijimtarinë e tij është nderuar me disa çmime letrare, ndërsa ndër vlerësimet e fundit ishte Sofra “Ymer Elshani” e Drenasit. Ai ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva”.
Me ndarjen e tij nga jeta, letërsia shqipe ka humbur një krijues të veçantë të letërsisë për fëmijë, ndërsa vepra e tij pritet të mbetet pjesë e trashëgimisë letrare për brezat e rinj.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot në ora 17:00 në varrezat e fshatit Komoran.