DokuFest nis edicionin e 25-të, 223 filma në Prizren

DokuFest nis edicionin e 25-të, 223 filma në Prizren

Kultura August 07, 2026 - 22:31

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest ka nisur edicionin e 25-të në Prizren. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë shumë të ftuar, kineastë dhe artdashës, ndërsa festivali do ta shndërrojë qytetin në qendrën e kinemasë deri më 15 gusht.

Gjatë festivalit do të shfaqen gjithsej 223 filma, përfshirë edhe filmat garues. Sivjet, DokuFest ka pranuar 3 mijë e 687 aplikime nga e gjithë bota, ndërsa 104 filma janë përzgjedhur për të garuar në tetë kategoritë zyrtare. Programi përfshin dokumentarë dhe filma të shkurtër ndër më të spikaturit e vitit, si dhe shumë premiera botërore.

Me rastin e 25-vjetorit të festivalit, tema kryesore e këtij edicioni është “Persistent Defiance” (Rezistenca e Vazhdueshme), ndërsa slogani “Show up or it doesn’t count!” (Doku, Sepse Ka Rëndësi!) synon të tërheqë vëmendjen ndaj konflikteve të sotme, krizës klimatike dhe ndryshimeve shoqërore.

Programi përfshin filma nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës. Përveç garave kombëtare dhe ndërkombëtare, publiku do të ketë mundësi të ndjekë programet Balkan Dox, Balkan Shorts, International Feature Dox, International Short Dox, International Shorts, Human Rights Dox, Green Dox, si dhe shumë shfaqje speciale.

Shfaqjet do të mbahen në DokuKino, DokuKino Plato, Art’s Theatre, Teatrin “Bekim Fehmiu”, Abi Çarshia dhe në disa hapësira të tjera të hapura në Prizren. Në kuadër të festivalit do të organizohen edhe DokuTalks, DokuKids, Doku Immersive, Short Film Forum dhe klasa të ndryshme master.

Një nga mysafirët më të njohur të festivalit është dokumentaristi me famë botërore Mark Cousins, i cili në Prizren do të prezantojë dy pjesë të veprës së tij 16-orëshe “The Story of Documentary Film”.

Programi muzikor DokuNights do të nisë më 12 gusht dhe do të sjellë katër net me koncerte në skenën Andrra Stage.

Hapja e festivalit u bë me filmin “PHENOMENA”, me regji të Joseph Gatti. Filmi, i përzgjedhur mes 223 veprave të programit, trajton formimin e universit dhe forcat që formësojnë natyrën përmes një rrëfimi vizual dhe tingullor.

I realizuar tërësisht me xhirime në kamerë, pa përdorimin e efekteve vizuale, filmi ndërthur pamje mbresëlënëse me muzikën e Nils Frahm dhe Rival Consoles, duke i çuar shikuesit në një udhëtim mes shkencës dhe artit./rtk