Luks dhe miliona në kontratën e re të Thiago Silvas

Sport December 07, 2016 - 19:33

Në Paris po zbulohen detaje të shumta të kontratës së re që firmosi Thiago Silva me skuadrën kampione të Francës në futboll

“Mediapart” dhe “Football Leaks” kanë renditur një sërë privilegjesh dhe bonusesh që mbrojtësi qendror i PSG fiton nga pronari i skuadrës Naser Al Khelaifi, i aftë të joshë përmes milionave shumë prej yjeve më të njohur.

Thiago Silva fiton 8 milionë euro në vit nga parisienët që japin gjithashtu premio të ndryshme. 400 mijë euro për titullin, 300 mijë çdo sezon për kualifikimin në Champions, 250 mijë për Kupën e Francës por jo vetëm kaq.

Nëse mbrojtësi i kombëtares braziliane merr pjesë në 60% të ndeshjeve sezonale, përfiton 350 mijë euro të tjera shtesë nga akordi me PSG.

Gjithsesi skuadra e kryeqytetit transalpin ka në bilancin e saj financiar edhe shumë favore për Thiago Silvën. PSG i garanton futbollistit 12 mijë euro në muaj për shtëpinë në një prej lagjeve më shik të Parisit, fluturime luksi drejt Brazilit thuajse çdo muaj, bileta në lozhën VIP, dhe e fundit 33 mijë euro për respektimin e rregullave etike.

Por çfarë do të thotë kjo në kontratën me PSG. Nëse kapiteni eviton kritikat publike ndaj skuadrës dhe shuan konfliktet e brendshme, atëherë vlerësohet me një çek të majmë në llogarinë bankare që është kthyer në minierë ari. /Express/