FIFA ndalon vuvuzelat dhe shishet e ujit në stadiumet e Botërorit 2026

FIFA ndalon vuvuzelat dhe shishet e ujit në stadiumet e Botërorit 2026

Sport June 05, 2026 - 10:01

Tifozët që do të ndjekin nga afër ndeshjet e Kupës së Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë nuk do të mundë të përdorin vuvuzelat e njohura për të krijuar atmosferë në tribuna. Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka vendosur ndalimin e këtyre mjeteve të zhurmshme, si pjesë e rregullores së re për sjelljen në stadiume.

Përveç vuvuzelave, FIFA ka ndaluar edhe bilbilët dhe çdo pajisje tjetër që prodhon zhurmë të tepruar, si dhe instrumentet që lëshojnë rreze lazeri. Rregullat do të zbatohen në të gjitha 16 stadiumet ku do të zhvillohet turneu, i cili nis më 11 qershor.

Vuvuzelat u bënë simbol i Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut, por shpesh kanë qenë objekt kritikash për tingullin e tyre monoton, që shumë e krahasojnë me zhurmën e një tufe bletësh.

Ndërkohë, FIFA ka vendosur kufizime edhe për sendet që lejohen brenda stadiumeve. Sipas kodit të ri, tifozëve nuk do t’u lejohet të sjellin shishe uji, me arsyetimin se ato mund të paraqesin rrezik për sigurinë e lojtarëve dhe pjesëmarrësve nëse hidhen në fushë.

Vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra nga grupet e tifozëve, veçanërisht në Angli. Organizata e tifozëve “Free Lions” e ka cilësuar masën si një mënyrë tjetër për të detyruar spektatorët të blejnë pije brenda stadiumeve, ku furnizimi me ujë dhe pije të tjera kontrollohet nga sponsorët zyrtarë të FIFA-s.

Kritikat janë shtuar edhe për shkak të temperaturave të larta që priten gjatë turneut. Për këtë çështje është përfshirë edhe drejtori ekzekutiv i Task-Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës, Andrew Giuliani, i cili ka konfirmuar se po zhvillohen diskutime me FIFA-n lidhur me politikën e ujit të pijshëm.

Sipas rregullores, tifozëve që shkelin këto masa mund t’u refuzohet hyrja në stadium ose të largohen nga ambientet e ndeshjes. FIFA thekson se qëllimi i kufizimeve është garantimi i sigurisë dhe mbarëvajtjes së eventit më të madh të futbollit në botë.