Ministria e Sportit ndan mbi 625 mijë euro për sportistë dhe trajnerë
Ministria e Sportit dhe Rinisë ka vazhduar mbështetjen financiare për sportistët dhe trajnerët e kategorizuar, duke ndarë gjithsej 625 mijë e 325 euro për 150 përfitues.
Sipas njoftimit të ministrisë, nga kjo shumë 448 mijë e 150 euro u janë ndarë 96 sportistëve, ndërsa 177 mijë e 175 euro janë ndarë për 54 trajnerë.
Ministria ka thënë se kjo mbështetje synon të vlerësojë punën, përkushtimin dhe rezultatet e sportistëve e trajnerëve kosovarë, të cilët përfaqësojnë vendin në gara vendore dhe ndërkombëtare.
“Çdo rezultat nis me përkushtim, ndërsa çdo sukses ndërtohet me punë të palodhshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Sportit dhe Rinisë.
Ministria ka uruar sportistët dhe trajnerët për sukseset e tyre, duke theksuar se do të vazhdojë përkrahjen për përgatitjet dhe garat e ardhshme.