KQZ-ja nis sot numërimin e votave të kandidatëve për deputetë në të gjitha komunat
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) do të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë për Ekonominë Online se paraprakisht do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime.
“Sot në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) do të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Paraprakisht do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime”, ka thënë ai.
Ai ka bërë të ditur se sot në orën 16:30 do të mbajnë konferencë për media, ku edhe do të njoftojnë për fillimin e verifikimit/numërimit në të gjitha komunat.
“Për fillimin e verifikimit/numërimit në të gjitha komunat dhe për të njoftuar për aktivitetet e KQZ-së pas ditës së zgjedhjeve, do të mbajmë konferencë për media në orën 16:30, në QKN ‘1 Tetori’ në Prishtinë”, ka shtuar Elezi.
“Numërimi i votave të subjekteve politike në të gjitha vendvotimet, është përmbyllur të dielën në mbrëmje, më 7 qershor, dhe të gjitha materialet janë dorëzuar në Qendra Komunale të Numërimit”, ka thënë ndër të tjera zëdhënësi Elezi.