SHBA-ja pro ushtrisë, BE-ja kundër

Aktuale December 14, 2018 - 07:56
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image 
Image

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, e ka vlerësuar historik miratimin e ligjeve për formimin e ushtrisë së Kosovës, ndërsa zyrtarët e Bashkimit Evropian në një përgjigje për gazetën “Zëri” kanë thënë se ushtria e Kosovës duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, shkruan sot Gazeta Zëri. 

Kuvendi i Kosovës sot do të miratojë Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Shërbimin në FSK, përmes të cilave do t’i ndryshohet mandati i FSK-së nga ai civil në atë ushtarak, por pa ia ndryshuar emrin.

LEXO EDHE: Rama: Ushtria, në gjithë Kosovën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Philip Kosnett e ka mbështetur këtë vendim, ndërsa zëdhënësja e Bashkimit Evropian Maja Kocijançiq ka thënë për “Zërin” se BE-ja vazhdon të insistojë që ushtria të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“BE-ja vazhdon t’i ndajë pikëpamjet e qarta të NATO-s dhe të SHBA-së se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Kocijançiq për “Zërin.

Ambasadori amerikan: Votimi për FSK-në, historik

Ndryshe nga Bashkimi Evropian ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, e ka quajtur historik votimin e sotëm të tri ligjeve me të cilat Kuvendi i Kosovës do ta nisë procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Në një deklaratë të postuar të enjten në rrjetin social “Twitter”, Kosnett përsëriti se SHBA-ja do ta mbështesë FSK-në në zhvillimin e saj profesional.

“Votimi i nesërm për tranzicionin e FSK-së është historik për Kosovën. SHBA-ja do ta mbështesë zhvillimin profesional dhe evolucionin organizativ të FSK-së, e cila duhet të luajë një rol pozitiv për Kosovën dhe për rajonin, duke reflektuar karakterin shumetnik të vendit dhe përkushtimin e popullit të Kosovës për paqe”, ka thënë ambasadori amerikan.

Ai ka vlerësuar se ceremonia e FSK-së, e cila do të mbahet sot në orën 17:00, është reflektim për paqe në rajon.

“Seanca e Kuvendit dhe ceremonia e FSK-së duhet të jenë raste për reflektim solemn dhe ripërkushtim për paqe, stabilitet e prosperitet për Kosovën dhe për fqinjët e saj. Tani është koha që të gjithë liderët dhe faktorët ta fokusojnë energjinë në dialog”, ka thënë ai.

Kurse presidenti i vendit Hashim Thaçi gjatë ditës së djeshme ka vizituar ushtarët e Forcës dhe të Sigurisë së Kosovës një ditë para votimit për projektligjet, që mundësojnë shndërrimin e kësaj Force në ushtri. Me këtë rast Thaçi lidhur me qëndrimin e NATO-s për ushtrinë ka thënë se FSK-ja do të shërbejë për paqe të vazhdueshme në rajon.

“Ne sigurojmë të gjithë partnerët tanë strategjikë, NATO-n dhe të gjitha shtetet që dëshirojmë paqe të qëndrueshme në këtë pjesë të botës”, ka thënë ai.

Sipas tij, të gjitha forcat politike në vend janë unike për sa i përket ushtrisë së Kosovës. “Të gjitha forcat politike në vend janë unike për të nxjerrë vendim të merituar, të shumëpritur që FSK-ja edhe me ligj të transformohet në ushtri profesionale e shumetnike”, ka thënë tutje ai.

LDK: E rëndësishme është që formimin e ushtrisë së Kosovës e mbështet SHBA-ja

Deputetja nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë për gazetën “Zëri” se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka heshtur deri një ditë para votimit të ligjeve për formimin e ushtrisë, pasi për presidentin është e papranueshme të përkrahë procese të rëndësishme për vendin për të cilat meritat i merr dikush tjetër e jo ai.

“Fatkeqësisht presidenti dëshiron që krejt proceset të cilat kanë jehonë nacionale t’i përvetësojë dhe kjo është e keqe për vendin tonë. Tash kur vërtet SHBA-ja e përkrah këtë proces presidenti hesht sepse nuk ishte iniciativë e tij dhe ai nuk dëshiron që askush të marrë ndonjë proces që vërtet ka rëndësi për vendin”, ka thënë Gaxherri.

Gaxherri ka thënë se pavarësisht edhe pse ka kundërshtime nga disa qarqe tjera është shumë e rëndësishme që ushtria ka gjetur përkrahje nga SHBA-ja.

“Ne jemi të lumtur që SHBA-ja e përkrah këtë hap, sepse nuk është transformim total, e dimë të gjithë, por është një hap për të cilin na jepet mundësia ta përgatisim ushtrinë brenda një afati kohor”, deklaroi Gaxherri.

Sveçla: Mandati i ri i FSK-së i nevojshëm, por me kufizime

Në anën tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë për “Zërin” se fatkeqësisht transformimi i ushtrisë së Kosovës nuk do të jetë i plotë.

“Mendoj se me votimin e sotëm në Kuvend do të bëhet një ngritje e kapaciteteve dhe e mandatit të FSK-së, por dorën në zemër nuk është ushtri, meqenëse ka ende kufizime tjera”, ka thënë Sveçla.

Ai gjithashtu deklaroi se pavarësisht disa zërave kundërshtues është shumë e rëndësishme mbështetja e faktorëve ndërkombëtarë, por edhe nevoja dhe e drejta e popullit tonë për krijimin e një ushtrie që mbron sovranitetin e shtetit.

“Mendoj që ka konsensus të pjesëmarrësve dhe të faktorëve ndërkombëtarë që të na mbështesin. Ka edhe mesazhe të përziera të këtyre pjesëmarrësve, por kryesorja është që transformimi ka mbështetje, e cila na erdhi edhe nga komandanti i NATO-s në Evropë, James Foggo, pa neglizhuar nevojën e mbështetjes. Por pika e parë dhe më e rëndësishme është e drejta jonë për të krijuar mekanizma që mbrojnë identitetin dhe sovranitetin e shtetit”, ka thënë Sveçla.

Qehaja: Koha e duhur për transformimin e FSK-së

Kurse njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, për “Zërin” ka thënë që pavarësisht pengesave është zgjedhur koha e duhur për transformimin e FSK-së në ushtri.

“Destruktiviteti i Beogradit zyrtar nuk ka të ndalur dhe të mos e mendoj dikush që ne do të gjenim një kohë më të volitshme për transformimin e FSK-së. Asnjëherë kushtet nuk ishin krijuar me këtë Serbi të sodit. Mirëpo ne pavarësisht këtyre vështirësive duhet të ecim përpara, por me Aleancën Veriatlantike ne nuk i kemi prishur punët, sepse ata janë këtu, KFOR-i vazhdon të jetë në Kosovë dhe do ta kryejë punën e vet. Ne e krijojmë ushtrinë tonë dhe në një moment të caktuar do t’i marrim kompetencat për ushtrinë tonë”, ka thënë ai.

Mirëpo sipas tij, ushtrinë e Kosovës e presin shumë punë për t’u bërë ushtri funksionale.

“Nesër po përmbyllet ky proces i cili është me vonesë qe tashmë tre vjet dhe është dashur tashmë të jemi të konsoliduar dhe në vend të asaj ne tash po fillojmë prej pikës zero. Kjo nuk do të thotë që ne jemi tash ushtri, por kemi hapur rrugën ligjore që kjo të bëhet, kemi shumë punë, aktivitete e veprime të cilat duhet t’i ndërmarrim, por unë e ndiej veten shumë të lumtur për këtë proces”, ka thënë ai.