Shasha: Integrimi i Ballkanit nuk ndodh deri në vitin 2024

Shasha: Integrimi i Ballkanit nuk ndodh deri në vitin 2024

Aktuale June 21, 2019 - 13:19
Lexoni detajet

Për një vendim përfundimtar pozitiv për liberalizim të vizave nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian Kosovës i kërkohet t’i dëshmojë përpjekjet e vazhdueshme në sundimin e ligjit, migracionit dhe sigurisë, shkruan Gazeta "Zëri". 

Ndërsa Demush Shasha, nga instituti “Epik”, ka thënë për “Zërin” që në mandatin e institucioneve të reja të BE-së nuk pritet të ndodhë zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2024.

“Në mandatin e institucioneve të reja të BE-së, 2019-2024, nuk duhet shpresuar për zgjerim të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Mund të pritet progres në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. E njëjta mund të ndodhë në rastin e Serbisë, nën supozimin e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Në rast të marrëveshjes Kosova nga ana tjetër do të fitojë liberalizimin e vizave dhe, në një skenar optimist, do të fitojë statusin e kandidatit. Statusin e kandidatit mund të fitojë edhe Bosnjë e Hercegovina”, ka thënë ai për "Zërin".

Ndërsa në bazë të konkluzioneve të fundit të Këshillit të BE-së, sipas Shashës, Kosova është vendi i parafundit për anëtarësim në BE.

“Duke marrë për bazë konkluzionet e djeshme të Këshillit të BE-së, si dhe Raportin vlerësues të Komisionit Evropian 2019 për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është vendi i parafundit sa i përket gatishmërisë për t’u anëtarësuar në BE. Raporti identifikoi si çështje prioritare dhe imediate arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vazhdimin e bashkëpunimit me Gjykatën Speciale, progresin e ndjeshëm në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe depolitizimin e institucioneve publike”, ka shtuar ai.

Prandaj në këtë kontekst Kosova duhet që në një periudhë afatshkurtër të adresojë prioritetet imediate politike, siç janë: arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vazhdimi i bashkëpunimit me Gjykatën Speciale, progresin e ndjeshëm në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe depolitizimin e institucioneve publike.

Kurse duke folur për liberalizim të vizave, Shasha ka thënë se aktualisht janë disa faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën, si: mosluftimi i mjaftueshëm i krimit të organizuar dhe i korrupsionit.

Po ashtu, sipas tij, çështja e liberalizimi të vizave nuk është prioritet i institucioneve të BE-së për vitin 2019, si dhe ka mungesë të vullnetit politik për liberalizim të vizave brenda BE-së. /ZERI

Image