“Vdes” legjislatura e gjashtë
Foto: Laura Hasani

“Vdes” legjislatura e gjashtë

Aktuale August 23, 2019 - 08:01
Lexoni detajet
Image
Image

Me 89 vota për, një kundër dhe dy abstenime deputetët i dhanë fund legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës dy vjet para se t’u përfundojë mandati. Pas shpërndarjes së Kuvendit, topi i kalon presidentit të vendit Hashim Thaçit, i cili brenda 10 ditëve duhet ta caktojë datën e zgjedhjeve, shkruan sot Gazeta "Zëri". 


Një muaj pas rënies së Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës i dhanë fund legjislaturës së gjashtë, për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja. Për këtë proces votuan 92 deputetë, 89 prej të cilëve i thanë “Po” shpërndarjes së Kuvendit, një ishte kundër dhe dy deputetë të tjerë abstenuan. Kundër shpërndarjes së Kuvendit ka votuar deputeti Milaim Zeka, derisa kanë abstenuar dy deputetët e PDK-së, Zenun Pajaziti e Ganimete Musliu. Pas përfundimit të seancës, kryeparlamentari Kadri Veseli ka nënshkruar dokumentin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, të cilin ia ka dorëzuar presidentit të vendit Hashim Thaçit. Presidenti, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në afat prej 10 ditësh duhet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kjo legjislaturë është konsideruar si legjislatura më e dobët që nga paslufta, duke plotësuar më pak se 20 për qind të agjendës legjislative.

Kosnett: Kuvendi ndërmori hap të rëndësishëm drejt krijimit të qeverisë me ide të reja

Të enjten ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” e ka cilësuar shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës si një hap tejet të rëndësishëm drejt krijimit të një qeverie të re. Ai ka shtuar se tani në fushatë kandidatët ofrojnë ide të reja për bisedimet me Serbinë, për sundimin e ligjit dhe për zhvillimin ekonomik, që siguron se Kosova s’humb kohë në ndërtimin e themeleve të së ardhmes. “Kuvendi ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një qeverie të re. Një fushatë, në të cilën kandidatët ofrojnë ide të reja në bisedimet me Serbinë, për sundimin e ligjit dhe për zhvillimin ekonomik, e siguron Kosovën të mos humbë më shumë kohë në ndërtimin e një themeli për të ardhmen”, ka shkruar i pari i Ambasadës së Amerikës në Prishtinë.

Veseli nga posti i kryeparlamentarit synon atë të kryeministrit

Pas shpërndarjes së Kuvendit kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili për dy vjet ka mbajtur postin e kryekuvendarit, është shprehur se në zgjedhjet nacionale do të synojë ta marrë postin e kryeministrit. Ai theksoi se ka ndërmarrë të gjitha iniciativat ligjore për vendimmarrje në shpalljen e zgjedhjeve. “Unë kam ndërmarrë të gjithë iniciativat ligjore që të kemi vendimmarrje për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Unë jam Kadri Veseli, do të jem kandidat për kryeministër. Unë e mbaj fjalën, u kam thënë se do të ketë zgjedhje dhe do të ketë. U kam thënë se do të largohen të gjithë uzurpatorët, janë larguar”, ka thënë ai, shkruan më tutje Gazeta 'Zëri". 

Tutje ai ka theksuar se fokusi i tij dhe i partisë së tij janë raportet e shkëlqyera me SHBA-në, si dhe lufta kundër korrupsionit. “Drejtimi ynë është lufta kundër korrupsionit dhe marrëdhëniet e mira me SHBA-në. Kosova nuk do të dështojë, por do të ecë përpara. Le të gëzohemi se demokracia po funksionon”, ka thënë Veseli.

Thaçi zotohet se së shpejti do ta caktojë datën e zgjedhjeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas shpërndarjes së Kuvendit është zotuar se së shpejti do të marrë vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme. “Shpërndarja e sotme e Parlamentit të Republikës së Kosovës përshpejton hapat e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re”, ka thënë Thaçi.

Sipas një komunikate të lëshuar për medie nga Presidenca, Thaçi ka theksuar se tani është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe si shoqëri. “Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje ai shton se këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces të drejtë, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe të atyre vendore.

Haradinaj: Partitë dëshmuan pjekuri politike

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, me t’u shpërndarë Kuvendi ka theksuar se partitë politike kanë treguar një pjekuri politike, derisa ka vlerësuar se tani është në dorën e qytetarëve që të vendosin se kush do ta udhëheqë vendin në të ardhmen. “E vlerësoj si shenjë të pjekurisë politike, të subjekteve politike vendimin për miratimin e Marrëveshjes IPA, si dhe për shpërndarjen e Kuvendit. Besoj shumë se qytetarët e vendit do ta shfrytëzojnë të drejtën e vet të vendosin se kush do të qeverisë në etapat e ardhshëm me vendin. Më vjen mirë që e gjithë kjo ka ardhur me kaq pjekuri të madhe politike”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se është i hapur për bashkëpunim edhe me Nismën, edhe me AKR-në. “Forcat politike tani i kanë të gjitha mundësitë për të ofruar një koncept zhvillimor. Me konceptin ‘100 për qind shtet’ kemi bashkëpunuar tashmë me PSD-në, por jemi të hapur edhe për Nismën e për AKR-në. Sot jemi fitues si Kosovë me këtë pjekuri që kemi treguar dhe kemi dërguar një sinjal për demokracinë, të cilën e kemi. Me rëndësi është që qytetarët të fokusohen në konceptet që kanë partitë”, ka thënë Haradinaj.

Kurse kryetari i grupit të deputetëve të AAK-së, Ahmet Isufi, është krenuar me veprimet që i ka ndërmarrë qeveria “Haradinaj” për këto dy vjet sa ka qenë në pushtet. Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, Isufi potencoi se ato që qeveria në shkuarje ka arritur t’i bëjë gjatë mandatit të saj, nuk kanë arritur t’i bëjnë qeveritë tjera për 20 vjet me radhë. “Qeveria për këto dy vjet ka realizuar vendime, të cilat qeveritë tjera nuk i kanë bërë për 20 vjet. Është interes i qytetarëve që Qeveria e ka mbrojtur tërësinë territoriale, ka vënë taksën 100 për qind të produkteve serbe, ka bërë Ligjin për Ushtrinë, Ministrinë e Mbrojtjes, statusin e ‘Trepçës’ e të tjera”, ka thënë ai.

Kurti: Ka ardhur koha për punë të mëdha e jo për vendime të mëdha

Menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka cilësuar ditën e djeshme si ditë gëzimi për qytetarët e Kosovës, sepse tash është koha për një qeveri të re, e cila do të kryejë punë të mëdha. “Kjo qeveri me shpejtësi marramendëse e ka rritur borxhin publik e në sasi enorme e ka rritur deficitin buxhetor. Natyrisht se sot është ditë gëzimi për të gjithë qytetarët e Republikës”, ka thënë Kurti.

Përpos kësaj Kurti u shpreh optimist edhe për arritjen e një koalicioni me LDK-në. “Kur të kemi rezultate konkrete, sa i përket koalicionit me LDK-në, ne do t’i tregojmë menjëherë. Tash për tash jemi në një proces me vullnet të mirë për kurorëzimin e të cilit unë jam optimist”, ka thënë Kurti.

Kurti duke përmendur koalicionet e mundshme theksoi se janë disa parime mbi të cilat do të formohet qeveria, mirëpo duke e përjashtuar kategorikisht një bashkëpunim me PDK-në. “Për zgjedhjet që do të mbahen unë po them se çka duhet, se çfarë qytetarët kanë nevojë dhe çfarë ne jemi të gatshëm, varësisht prej këtyre kauzave do të formohet edhe qeveria. Shteti i kapur i Kosovës është i tillë pikërisht për shkak të PDK-së, e cila e ka uzurpuar shtetin dhe e ka humbur veten si parti”, ka shtuar ai.

Hoti: Legjislatura e gjashtë, arenë lufte mes pozitës e opozitës

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, pak minuta para se të votohet shpërndarja e Kuvendit të Kosovës ka ripërmendur të gjitha dështimet që i ka bërë qeveria në shkuarje. Hoti ka paraqitur buxhetin e dëmtuar nga Qeveria PAN, numrin e madh të ministrave e të zëvendësministrave, deputetët me aktakuza, humbjen e vendeve të punës, mënyrën e dialogut e shumë të tjera. “Kjo seancë i përmbyll punët e kësaj legjislature, kështu që kjo legjislaturë ka qenë arenë konfrontimesh mes pozitës e opozitës e jo debat për t’i paraqitur avancimet e qytetarëve. Kemi pasur koalicion pa legjitimitet, si rezultat është realizuar vetëm 30 për qind e punës edhe kjo me dëshirë të opozitës. Kjo Qeveri do të mbahet mend për të keq, me 1/3 e deputetëve me aktakuzë. E ka dëmtuar buxhetin. Dialogu u udhëhoq nga persona joadekuatë. Programi qeverisës nuk u mor parasysh nga asnjë vendim i Qeverisë”, ka thënë Hoti.

Ai është zotuar se me ardhjen në pushtet, LDK-ja do t’i finalizojë të gjitha punët që qeveria “Haradinaj” i ka lënë në gjysmë.

Sherifi: Opozita nuk ishte e aftë ta rrëzojë qeverinë “Haradinaj”
Shefi i deputetëve të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, është shprehur se për vendimin e sotëm që të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje opozita duhet ta falënderojë ish-kryeministrin Haradinaj, i cili ka dhënë dorëheqje sepse LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do të arrinin ta çonin vendin në zgjedhje. “Sot Kuvendi mori vendim ta shpërndajë këtë legjislaturë, që sovranit t’i kthehet sërish mandati. Avdullah Hoti harroi ta falënderojë Haradinajn që përmes dorëheqjes së tij e mundësoi shkuarjen në zgjedhje, sepse sa për LDK-në e për LVV-në vendi nuk do të shkonte në zgjedhje. Pra, për shkuarjen në zgjedhje duhet të falënderohet Haradinaj për dorëheqjen. Opozita le të tregojë se ka qenë e paaftë ta dërgojë në shtëpi Qeverinë”, ka thënë Sherifi.

Sherifi ka thënë se tashmë kanë vendosur që të mos hyjnë në koalicion me partitë e mëdha LDK-në, Vetëvendosjen ose PDK-në. “Ne kemi përjashtuar tashmë mundësinë që të hyjmë në koalicione me partitë e mëdha, siç janë LDK-ja, Vetëvendosja e PDK-ja”, deklaroi Sherifi.

Deputetët votojnë Marrëveshjen e IPA 2018

Para se të vendosej në votim pika e rendit të ditës për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, deputetët votuan pro Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për programin Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) 2018. Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me Bashkimin Evropian (BE) kanë negociuar dhe kanë nënshkruar Marrëveshjen Financiare IPA 2018 në vlerë prej 94.7 milionë eurosh, prej të cilave 90.5 milionë euro financohen nga BE-ja dhe pjesa e mbetur bashkëfinancohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. /ZERI