QNR: Për 7 ditë përfundon rinumërimi i 530 vendvotimeve
Foto: Laura Hasani

QNR: Për 7 ditë përfundon rinumërimi i 530 vendvotimeve

Aktuale October 19, 2019 - 11:58
Detajet

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR) është duke vijuar rinumërimi i 530 vendvotimeve, shkruan gazeta "Zëri".

Sipas koordinatorit të QNR-së, Burim Ahmetaj, brenda ditës pritet të numërohen gjithsej 90 vendvotime, madje ai shprehet optimist se brenda 7 ditëve do të përfundojë edhe ky proces i rinumërimit të vendvotimeve.

“Dje ka filluar në orën 16:00 procesi i rinumërimit. Janë rinumëruar 45 vendvotime, ndërsa aktualisht në këto vendvotime janë edhe 23 vendvotime, të cilat janë në proces. Ka mundësi që brenda ditës të rinumërohen rreth 90 vendvotime. Kështu, konsiderojmë që brenda 7 ditësh ky proces ndoshta do të mundë të përfundohet”, tha Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, procesi i rinumërimit është duke shkuar mirë dhe nuk ka ndonjë problem procedural.

“Nuk kemi probleme procedurale sa i përket procesit të rinumërimit. E thashë edhe më herët gjithë këta formularë i janë nënshtruar procesimit në bazën e të dhënave dhe në bazë të procedurave. Sistemi nuk lejon mospërputhje në mes të votave të subjekteve dhe të kandidatëve. Rekomandimi ka qenë që të gjitha këto vendvotime të rinumërohen”, u shpreh koordinatori i QNR-së, shkruan tutje "Zëri".

Në QNR pritet që pas rinumërimit të 530 vendvotimeve të fillojë numërimi i votave me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta. “Jemi në përgatitjen e fundit të verifikimit të votave me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta. Sigurisht që pas këtij procesi të rinumërimit do të fillojmë edhe me numërimin e votave me kusht, që do thotë rezultatet e vendvotimeve të rinumërimit, të cilat konsiderohen finale, do t’u bashkohen rezultateve përfundimtare”, theksoi Ahmetaj./ZËRI