Skepticizmi për Shengenin Ballkanik

Skepticizmi për Shengenin Ballkanik

Aktuale November 12, 2019 - 08:12
Detajet
Image

Nisma e treshes politike, Zaev - Rama - Vuçiq, për krijimin e një Shengeni Ballkanik nuk premton sukses e siguri. Kështu kanë konsideruar njohësit e rrethanave politike në Kosovë e në Shqipëri, të cilët teksa kanë komentuar kritikat e Ramës të drejtuara Kosovës kanë thënë se kryeministri i Shqipërisë gaboi kur në krah të liderëve të tjerë rajonalë kritikoi Kosovën për vetizolim.

Iniciativa për krijimin e një Mini-Shengeni në Ballkan nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq nuk po gjen mbështetje të plotë në Ballkanin Perëndimor, shkruan sot Gazeta Zëri

Në takimin e dytë të mbajtur para dy ditësh në Ohër rreth kësaj çështjeje Kosova nuk mori pjesë fare, kurse Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, ndonëse morën pjesë, nuk u përfaqësuan në nivel presidentësh ose kryeministrash. Lidhur me takimin e Ohrit dje është deklaruar edhe fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, lideri i LVV-së Albin Kurti, i cili ka thënë se nguti që Samiti i Ohrit të mbahej në kohën kur dihej që Kosova nuk do të merrte pjesë ka qenë i gabueshëm.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve politike nga Shqipëria e Kosova konsiderojnë se nisma e Ramës dhe e Zaevit për krijimin e Shengenit Ballkanik vjen si kundërpërgjigje kundrejt vendimit refuzues të Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me anë të këtij veprimi, siç thonë ata, dyshja Rama - Zaev synojnë të marrin vëmendje në kancelaritë perëndimore.

. Gjatë muajit të kaluar BE-ja dështoi të arrijë konsensus në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sidoqoftë, Zaev, Rama e Vuçiq u takuan të dielën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me ç’rast diskutuan rreth iniciativës për një bashkëpunim ekonomik, duke mundësuar heqjen e të gjitha pengesave për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave. Kjo iniciativë, sipas analistëve, e vendeve të rajonit nuk premton sukses dhe siguri, ndaj, më shumë se rezultate afatgjata, pritet të ketë rezultate afatshkurtra.

Përpjekja për të fituar vëmendje pas “grushtit” të marrë nga BE-ja

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike (ISP) në Shqipëri, ka thënë se përpjekja e Zoran Zaevit dhe e Edi Ramës për krijimin e Mini-Shengenit është përpjekje për të fituar vëmendje në kancelaritë perëndimore, pas vendimit refuzues të BE-së ndaj Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. “Ideja e bashkëpunimit rajonal midis vendeve në Ballkan dhe e ‘rënies’ së mureve ndarëse, duke përfshirë edhe ato të lëvizjes së lirë dhe të shkëmbimit të mallrave, tingëllon ide ‘trendy’ në Bruksel, në Berlin e në Paris, ndaj takimi i Ohrit u shfrytëzua në funksion të këtij qëllimi”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Dështimi i BE-së për t’i mbajtur premtimet në raport me zgjerimin, sipas Krasniqit, u ka krijuar hapësirë nismave të tilla të integrimit rajonal. Gjithsesi këto iniciativa, siç ai është shprehur, nuk arrijnë ta zëvendësojnë procesin e integrimit evropian.

Gjatë një bisede për “Zërin” Krasniqi ka thënë se nisma për krijimin e Mini-Shengenit nuk premton sukses dhe me siguri, siç ai është shprehur, më shumë se rezultate afatgjata pritet të ketë rezultate afatshkurtra kryesisht për imazhin e rajonit në BE dhe për vetë imazhin e tre kryeministrave. “Nisma ka vlerë kur ka mbështetje politike të të gjitha vendeve dhe kur ka interesim të tregjeve dhe të qytetarëve”, ka potencuar ai.

Kurse Vigan Qorrolli, njohës i çështjeve politike në Kosovë, ka thënë se me privilegjin e pamerituar të përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve në Ballkan kryeministri Edi Rama po solidarizohet me idenë unilaterale (të njëanshme) të dyshes Vuçiq - Zaev për epërsinë ekonomike dhe tregtare të Serbisë e të Maqedonisë së Veriut në Ballkan. Kjo nismë e Ramës dhe e Zaevit sipas tij ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj grushtit që Franca ua dha së fundi shteteve që ata përfaqësojnë. “Grushtin e hekurt të dhënë nga presidenti francez Macron për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut, si dhe lodhjen kronike të Evropës nga zgjerimi i mëtejmë i saj Rama dhe Zaevi po e interpretojnë si një ‘racizëm dhe supremaci’ të kombeve të mëdha evropiane kundrejt kombeve të vogla ballkanike”, ka deklaruar ai për gazetën.

Në këtë drejtim Qorrolli ka vlerësuar se që të dy këta liderë po bëjnë gabim, pasi Evropa nuk pranon në gjirin e saj shtete që kanë probleme shumë serioze me sundimin e ligjit. Më tutje profesori i së drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli, është shprehur i bindur se nisma për Mini-Shengenin do të dështojë. “Edhe kjo iniciativa për Shengenin Ballkanik do të dështojë, siç ka dështuar instrumenti kryesor ekonomik i BE-së i krijuar për vetë Ballkanin - i quajtur CEFTA”, ka potencuar Qorrolli.

Mini-Shengeni nuk zëvendëson perspektivën evropiane

Pavarësisht kritikave të shumta të adresuara tek iniciatorët e idesë për krijimin e Shengenit Ballkanik, Xhelal Neziri, njohës i rrethanave politike në Maqedoni, ka vlerësuar se kjo nismë është e mirë dhe paralajmëron evropianizimin e Ballkanit si një rajon problematik. “Në të njëjtën mënyrë u krijua Bashkimi Evropian, kur me Traktatin e Romës në vitin 1957 u krijua Unioni Ekonomik Evropian, në të cilin fillimisht bënin pjesë Franca, Belgjika, Luksemburgu, Italia, Holanda dhe Gjermania Perëndimore. Pas më pak se dy dekadave nga Lufta e Dytë Botërore Franca dhe Gjermania si armiq të dikurshëm filluan të punojnë bashkë për të mirën e përbashkët”, ka deklaruar ai për “Zërin”. Nga rënia e kufijve, siç Neziri është shprehur, asnjëherë nuk mund të ketë efekte negative të theksuara, përkundrazi ai ka konsideruar se lëvizja e lirë e njerëzve, e mallrave dhe e kapitalit mund të sjellë një zhvillim më të theksuar në rajon. “Në të kundërtën, izolimi në kufijtë shtetërorë dhe nxitja e vazhdueshme e armiqësive të reja vetëm se mund të përsërisë konfliktet ose luftërat e përgjakshme të Ballkanit. Nëse kjo iniciativë arrin të realizohet dhe të përfshijë të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë do të ishte një hap i madh drejt pacifikimit të këtij rajoni të trazuar nga armiqësitë shekullore”, ka potencuar Neziri, teksa ka shtuar se ky projekt nuk do të jetë zëvendësim për perspektivën evropiane të vendeve aspirante, por plotësim për procesin e integrimit në BE.

Gabimi i Edi Ramës

Lidhur me çështjen e Mini-Shengenit pati kritika të ashpra mes kryeministrit Edi Rama e skenës politike në Kosovë. Teksa ka komentuar përplasjet e Ramës me palën kosovare, Afrim Krasniqi nga Shqipëria ka thënë se debati midis politikës në Tiranë dhe asaj në Prishtinë e eklipsoi Samitin e Ohrit, të mbajtur para dy ditësh dhe retorikën ndaj tij.

“Kryeministri Rama gaboi kur në krah të liderëve të tjerë rajonalë, sidomos atij të Serbisë, kritikoi Kosovën për vetizolim, një argument që tradicionalisht ka ardhur nga pala serbe”, ka deklaruar ai.

Përveç presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe liderit të LDK-së Isa Mustafës, të cilët ditën kur u mbajt takimi i Ohrit e kundërshtuan ashpër këtë nismë, pa reaguar nuk ka lënë as lideri i LVV-së Albin Kurti, i cili sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja i ka fituar zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë. Takimin e Ohrit ai e ka konsideruar të ngutshëm. “Për mua ishte i gabueshëm dhe i pashpjegueshëm nguti që medoemos tani të mbahet kjo mbledhje në Ohër, në kohën kur dihej që Kosova nuk do të marrë pjesë”, ka potencuar Kurti.