Punësimi, sfidë e Kosovës në Agjendën Evropiane

Punësimi, sfidë e Kosovës në Agjendën Evropiane

Aktuale November 12, 2019 - 08:25
Detajet
Image

Sektori i punësimit sipas ndërkombëtarëve është njëra nga instrumentet dhe sfida kyçe në rrugën e integrimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian, shkruan sot Gazeta Zëri

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, duke diskutuar për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) në sektorin e punësimit potencoi që për qytetarët e Kosovës tema e punësimit është e rëndësishme, pasi punësimi është njëra ndër instrumentet kryesore për integrim në BE. “E rëndësishme për qytetarët dhe për Kosovën është tema e punësimit. Shpresojmë vërtet që ky projekt do të ketë vëmendje të agjendës si njëra nga instrumentet për të ecur drejt integrimit në BE.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe ERA janë instrumente kyçe dhe udhërrëfyese për Kosovën drejt BE-së. Sundimi i ligjit, qeverisja e mirë, konkurueshmëria dhe punësimi janë tema që ndërlidhen dhe shumë të rëndësishme”. Ajo edhe një herë rikonfirmoi mbështetjen e Holandës ndaj Kosovës. Kësisoj ajo deklaroi se presin një Qeveri dhe një Kuvend gjithëpërfshirës. “Është koha të riangazhohemi në procesin e integrimit evropian. Shpresoj që Kuvendi e Qeveria të konstituohen së shpejti. Holanda ka qenë dhe do të jetë njëra nga shtetet themeluese të BE-së dhe do të mbështesim Kosovën për këto reforma. Presim një proces gjithëpërfshirës, Kuvendi, Qeveria, komuniteti i biznesit etj.”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Syzana Bytyqi-Jagxhiu, nga Zyra e BE-së në Kosovë, ka thënë se presin implementimin e projekteve të mbetura nga ERA I. “Presim që këto masa në ERA 1 çka s’janë implementuar të implementohen. Duhet të mendojmë për fazën e mëtutjeshme, të mendojmë për strategji të reja. Si BE kemi disa projekte dhe shpresojmë të kemi të dhëna makro, të shohim lëvizje, të mos shohim trend negativ. Të kemi rritje të trendit të punës, pjesëmarrje më të madhe të grave”, ka thënë ajo.

Prezantimin e raportit “Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës: Raport Monitorues” e bëri Butrint Berisha, hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike. “Në dy vjetët e fundit tri organizata kanë bërë punë në mënyrë të vazhdueshme për implementimin e ERA-s. Prioritet mbetet sigurimi i zbatimit të ligjit mbi Agjencinë e Punësimit përmes funksionalizimit të Agjencisë për Punësim, ndarjes së buxhetit dhe mundësisë për tregun e punës. Agjencia e Punësimit ka 34 zyra të punësimit në katër komuna, por nuk janë hapur ende, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti e Mamusha pritet të kompletojnë strukturën organizative”, ka thënë hulumtuesi i GAP-it.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Punësimit, Drin Haraçia, duke folur për rolin e BE-së në reformat ligjore dhe institucionale tha se sfidë kryesore mbetet ndarja buxhetore. “Sfida kryesore është ndarja buxhetore. Nuk ka munguar përkrahja e donatorëve. Për shkak të rritjes së buxhetit kemi pasur sukses për rritjen e numrit të punëkërkuesve, përfshirje të grave dhe të të rinjve, kemi pasur programe specifike për personat me aftësi të kufizuara. Po mundohemi që ata të cilët janë të aftë për punë t’i largojmë nga skena sociale dhe t’i bëjmë për tregun e punës. Kemi arritur që përfshirja e grave të jetë mbi 43 për qind dhe mbi 27 për qind përfshirja e të rinjve”, pohoi ai.

Sipas tij, sfidë për Agjencinë po del të jetë buxheti dhe ngritja e kapaciteteve. “Sfidat e Agjencisë janë buxheti, ngritja e kapaciteteve, zyrat e punësimit janë që ekzistojnë shumë moti, stafi është i vjetër. Fokusi im do të jetë inkuadrimi i grave dhe i personave me aftësi të kufizuara”, ka thënë ai.

E për sfidat e Kosovës përballë vazhdimit të Agjendës për Reforma Evropiane foli Demush Shasha, drejtor ekzekutiv në institutin EPIK. Sipas Shashës, mungesa e vullnetit politik është njëra prej sfidave me të cilat është përballur Kosova gjatë përmbushjes së kësaj reforme. “Agjenda Evropiane e Reformave është bërë jo për individin, por për shtetin. Në këtë drejtim në zbatim të agjendës është e rëndësishme a ka buxhet, por më e rëndësishme sa ka vullnet politik. Sfida kryesore që është ballafaquar Kosova është mungesa e vullnetit të sinqertë politik. Nga 22 prioritete para tre vjetësh vetëm 5 janë përmbushur plotësisht. Një numër i tyre është shkuar mbrapa. Asgjë s’mund të zëvendësojë vullnetin politik për të ndërmarrë reforma”, ka thënë Shasha. Këto deklarata u bënë në tryezën e organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe nga instituti GAP me temën “Agjenda për Reforma Evropiane (ERA) në sektorin e punësimit”.