Smaka: Një numër i madh i funksionarëve në institucionet publike janë të korruptuar
Foto: Laura Hasani

Smaka: Një numër i madh i funksionarëve në institucionet publike janë të korruptuar

Aktuale December 12, 2019 - 11:42
Detajet

Ndërkombëtarët i kanë bërë thirrje qeverisë së ardhshme që t’i ketë prioritet reformat në drejtësi, të cilat do të jenë në përputhje me vendet e BE-së. Ndërkohë, përfaqësues të partisë fituese të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit kanë thënë se prioritet do të jetë vetingu në drejtësi, pasi vetëm kështu qytetarëve do t’u kthehet besimi në institucionet e drejtësisë, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Ndërkombëtarët kërkojnë reforma me prioritet në drejtësi

Njohësi i çështjeve juridike, Riza Smaka, ka thënë se në Kosovë korrupsioni nuk luftohet në nivelin e ulët dhe të mesëm e aq më pak në atë të lartë. Sipas tij, nuk janë efikase institucionet e drejtësisë në Kosovë. “Bindja ime është që korrupsioni nuk po luftohet jo në nivelin e lartë, por as në të mesëm, as në të ulët. Ky është njëri nga faktorët që e shkatërron çdo shtet. Nuk është efikase administrata publike, nuk është efikase Prokuroria dhe as gjyqësori, prandaj kur nuk zbatohet ligji në fuqi, atëherë ndodh korrupsioni”. Ai i quajti të korruptuar një numër të madh punonjësish nëpër institucionet publike dhe tha se vetëm zbatimi i ligjit është rruga drejt luftimit të korrupsionit. “Një numër i madh funksionarëve publikë në administratën publike dhe në krejt institucionet publike janë të korruptuar. Vetëm ta marrim shembull pasurimin e pabazë. Pasurimin e pajustifikuar me dokumente. Nga? Ky është korrupsion i thellë, që ndër të tjera kërkon vullnet politik për luftimin e kësaj dukurie. Korrupsioni luftohet vetëm në një mënyrë, vetëm me zbatimin e ligjit në fuqi, të tjerat janë vetëm fjalë”, ka thënë ai.

“Java Kundër Korrupsionit 2019” ka nisur ditën e hënë dhe vazhdon deri më 13 dhjetor. Në kuadër të kësaj jave trajtohen çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në qeverisje, prokurim publik, shëndetësi e arsim, teksa fokus kryesor do të jenë sinjalizuesit, mbrojtja e tyre dhe Ligji për Sinjalizuesit, i cili është miratuar këtë vit. //ZERI