Dardan Molliqaj, kryetari i ri i PSD-së
Foto: Laura Hasani

Dardan Molliqaj, kryetari i ri i PSD-së

Aktuale December 16, 2019 - 07:49
Dardan Molliqaj është zgjedhur kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) pas dorëheqjes së Shpend Ahmetit nga posti i liderit të partisë. Vendimi i Ahmetit për ta braktisur timonin e PSD-së ka ardhur pas dështimit të këtij subjekti në zgjedhjet e 6 tetorit, nga të cilat PSD-ja nuk arriti ta sigurojë asnjë ulëse në Kuvendin e Kosovës
Image

Pas dështimit në zgjedhjet e 6 tetorit, Shpend Ahmeti, që deri dje drejtonte Partinë Socialdemokrate (PSD), ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Socialdemokrate gjatë së dielës. Pas këtij vendimi PSD-ja ka mbajtur zgjedhjet e reja të brendshme, me ç’rast anëtarët e këtij subjekti vendosën që pasardhës të Ahmetit ta zgjedhin Daradan Molliqajn, i cili ishte kandidati i vetëm për kryetar të partisë.

Përmes votimit të fshehtë, nga 227 delegatë sa kanë votuar, 83% kanë votuar pro Molliqajt, ndërkaq 17% të tjerë kundër. Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka bërë të ditur për medie se për postin e kryetarit të partisë janë propozuar disa kandidatë, por vetëm Molliqaj ka pranuar propozimin për kryetar. “PSD-ja ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, në të cilën u shpallën zgjedhjet e reja. Me votë të fshehur demokratike u zgjodh kryetari i ri, Dardan Molliqaj.  

Për këtë pozitë janë propozuar 5 kandidatë, por që prej kandidatëve vetëm një pranoi propozimin për kandidim”, ka njoftuar Kuçi. Në mbledhjen e Kuvendit Zgjedhor të PSD-së u votua edhe për rritjen e numrit të anëtarëve të Këshillit Drejtues në 156. Të dielën me këtë rast u propozuan dhe u votuan anëtarët e rinj të Këshillit. Këtu u aplikua edhe kuota gjinore e votuar më herët, 50:50, shkruan Zeri.

Dorëheqja, si pasojë e dështimit në zgjedhje

Shpend Ahmeti bëri të ditur se për shkak të përgjegjësisë pas rezultatit zgjedhor të 6 tetorit mori vendim për t’u tërhequr nga pozitat në PSD. Përmes njoftimit të tij Ahmeti tha se tani e tutje do të merret vetëm me postin e kryetarit të Prishtinës. Përmes letrës së tij i pari i Prishtinës dha njoftimin dje se brenda PSD-së janë organizuar zgjedhjet e reja.

“Meqenëse tani kanë kaluar më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kemi pasur kohë si Parti Socialdemokrate të vlerësojmë rezultatin zgjedhor dhe arsyet për rezultatin zgjedhor. Gjatë kësaj periudhe kemi diskutuar në Kryesi disa herë. Përderisa janë diskutuar arsye të ndryshme, ka qenë një emërues i përbashkët i analizës e ajo ka qenë që nuk drejtojmë gishta tek asnjëri individualisht, sepse të gjithë kemi pasur përgjegjësi për vendimet e marra e për të cilat besojmë se kanë qenë të arsyeshme e të drejta”, ka deklaruar ai.

Derisa përgjegjësia më e madhe për humbjen në zgjedhje, sipas tij, i ka takuar atij vetë si kryetar i partisë, Ahmeti ka thënë se tani e tutje nuk do të marrë asnjë angazhim tjetër, pos angazhimit si kryetar i Prishtinës. “Po ashtu ju njoftoj se unë kam vendosur të mos kandidoj për asnjë pozitë në parti. E para, si marrje e përgjegjësisë për rezultatin zgjedhor, por arsyeja kryesore është angazhimi kryesor dhe i vetëm imi në Komunën e Prishtinës. Tash e tutje dhe deri në përfundim të mandatit në Komunën e Prishtinës unë nuk do të marr asnjë angazhim tjetër në asnjë institucion tjetër, duke u fokusuar plotësisht në përmbushjen e premtimeve të dhëna në vitin 2017”, ka potencuar ai.

Sidoqoftë, Ahmeti ka thënë se PSD-ja ka mjaftueshëm kuadro profesionale për t’i adresuar problemet e qytetarëve të Kosovës. “Kosova ka nevojë për opozitë të mirëfilltë e të fortë, pa marrë parasysh se kush është në qeveri. Jam i bindur se PSD-ja ka mjaftueshëm njerëz e kuadro profesionale për të udhëhequr në sfidat e radhës të adresimit të problemeve shoqërore, ofrimit të zgjidhjeve socialdemokrate, si dhe monitorimit të qeverisë. Kryetarit të ri dhe organeve të reja drejtuese u uroj suksese në sfidat e radhës. Socialdemokracia për mua mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve shoqërore”, ka nënvizuar ai më tutje, shkruan sot gazeta Zeri.

Dorëheqja e Ahmetit, pas dorëheqjes së Sejdiut

Dorëheqja e Shpend Ahmetit nuk është e vetmja që ngjau pas 6 tetorit në PSD. Pas dështimit në zgjedhjet e tetorit, në të cilat PSD-ja nuk kishte arritur ta sigurojë asnjë ulëse në Kuvendin e Kosovës, Dardan Sejdiu pati dhënë menjëherë dorëheqje nga të gjitha pozitat në Partinë Socialdemokrate. Ai pati njoftuar se do t’i përkrahë strukturat e reja në PSD, porse nuk do të jetë pjesë e këtyre strukturave. “Në këto zgjedhje ju folët përmes aktit më sublim demokratik - votimit. Ndërsa që nga sot, pas shpalljes së rezultateve nga KQZ-ja, vota juaj do të flasë përmes konstituimit të ri parlamentar, që do të dalë prej certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ-ja nesër. Me këtë rast më lejoni që gjithashtu ta falënderoj fituesin e zgjedhjeve, duke i uruar punë të mbarë dhe të suksesshme”, pati deklaruar ai nëpërmjet njoftimit, ku bëri të ditur dorëheqjen e tij.

Atëkohë Sejdiu pati paralajmëruar një rrugëtim të ri, duke mos dhënë më shumë detaje. “Rrugëtimin tim politik pothuajse 10-vjeçar unë e kam shtruar mbi dy parime themeltare, të cilave u kam qëndruar gjithmonë besnik. Ato janë vlerat universale progresiste të barazisë, të solidaritetit, të drejtësisë dhe zhvillimi ekonomik socialdemokrat, që në qendër të saj vë shumicën, që ka pak. Këto parime më kanë drejtuar politikisht në mënyrë që unë ato t’i drejtoj institucionalisht”, pati vazhduar Sejdiu./ ZERI