LDK-ja ia numëron dobësitë Shpend Ahmetit, kërkon dorëheqjen e tij

LDK-ja ia numëron dobësitë Shpend Ahmetit, kërkon dorëheqjen e tij

Aktuale January 29, 2020 - 08:41
Grupi i asamblistëve i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunë e Prishtinës ka kritikuar ekzekutivin për mosshfrytëzimin e buxhetit komunal.
Image

Asamblisti kësaj partie, Shefqet Osmani, duke paraqitur raportin financiar të kryeqytetit theksoi se nga viti i kaluar ka një rritje shqetësuese të mosshfrytëzimit të buxhetit. “Ne që nga viti i kaluar kemi ngritur shqetësimin se ky buxhet nuk do të shfrytëzohet. Janë paraqitur të dhëna skandaloze për mosshpenzimin e buxhetit dhe për bartjen e mbi 28 milionë eurove për vitin 2020. Po ashtu është shqetësuese mosshpenzimi i grantit qeveritar 4.2 milionë euro, i cili i kthehet prapë Qeverisë së Kosovës. Buxheti i Komunës për vitin 2019 ishte 111 milionë euro, duke mos llogaritur 23 milionë euro të bartura nga viti 2018, prej tyre 78 milionë janë shpenzuar, 32 milionë nuk janë shpenzuar dhe 28 milionë janë bartur për vitin 2020”, ka thënë Osmani.

Ahmeti nga LDK-ja po kritikohet edhe për sa i përket planifikimit strategjik dhe të urbanizimit. “Kryetari Ahmeti ka dështuar tërësisht edhe në planifikimin strategjik, edhe në urbanizëm, ku nga 800,000,00 euro planifikim është shpenzuar vetëm 12% i buxhetit të planifikuar. Shpenzimet kapitale ishin vetëm 32% e jo 40% siç paraqet raporti. Inkasimi i faturimit të mbeturinave është realizuar vetëm 47% ose 2.4 milionë euro më pak”, ka thënë tutje Osmani.

Osmani nuk e la pa përmendur edhe mospërmbushjen e premtimeve të dhëna për kërkesat e qytetarëve. “Nuk janë bërë investime në infrastrukturën shkollore, as në rikonstruktim të rrugëve, nuk ka përfunduar rrethrrotullimi te stacioni, nuk janë ndërtuar kolektorë për kanalizime, nuk ka shtirje të rrjetit të ujësjellësit, nuk ka deponi të mbeturinave”, ka thënë tutje asamblisti i LDK-së në Prishtinë.

Nga asamblisti i LDK-së u theksua se në Komunë ka një numër të madh të të punësuarve me kontratë mbi vepër. Sipas Osmanit ky numër është dyfishuar nga viti 2018 kur kishin qenë 110 persona. Sipas tij, në vitin 2019 numri i të punësuarve me kontratë mbi vepër ka arritur në 210. Për këto arsye LDK-ja ka kërkuar dorëheqjen e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit, si dhe një kërkim falje publike nga ai. “Shpend Ahmetit i ka humbur rruga në oborr. Nëse i ka mbetur veç pak moral dhe ndërgjegje, Shpend Ahmeti do të duhej së paku të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe të kërkojë falje publike”, u shpreh ai.

Komuna e Prishtinës gjatë vitit që lamë pas nuk arriti t’i shpenzojë rreth 30 milionë euro në investime kapitale./Zëri