Policia dhe FSK të paprekura nga koronavirusi, në gjendje gatishmërie për ndihmë

Policia dhe FSK të paprekura nga koronavirusi, në gjendje gatishmërie për ndihmë

Aktuale March 28, 2020 - 10:00

Policia e Kosovës, Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe burgjet po qëndrojnë të paprekura nga virusi COVID19.

Të dy institucionet kryesore të sigurisë në vend, policia dhe ushtria e Kosovës kanë bërë të ditur për lajmi.net se nuk kanë të infektuar me koronavirus në radhët e veta.

“Deri me tani fatmirësisht, asnjë zyrtar nuk është i infektuar me Koronavirus, ka disa zyrtar që janë sugjeruar për vetë izolimi dhe izolimi i detyruar ka rrjedhe me rekomandim te Ekipeve Mjekësorë neper pikat kufitare, ( pas ardhjes se tyre nga vende te ndryshme si ; Zvicër, Londër, Serbi, Amerike, Gjermani etj.).”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për lajmi.net.

As Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka në radhët e veta pjestarë të infektuar me virusin që është shndërruar në krizë botërore.

“Deri në këtë moment nuk kemi asnjë të infektuar e as me simptoma me koronavirus.”, tha Ibrahim Shala, zëdhënës i FSK-së.

Edhe shefi i burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi në një prononcim për lajmi.net ka bërë të ditur gjithashtu se nuk ka të burgosur të prekur me koronavirus.

“Deri më tani nuk ka pasur të testuar sepse në burgje janë bërë kontrolla të vazhdueshme prandaj nuk ka pasur nevojë të bëhet testi për koronavirus sepse kanë kontrolla të vazhdueshme.”, tha Thaçi për lajmi.net.

Më tutje, Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë shprehur gadishmërinë t’i dalin në ndihmë përballimit të situatës me koronavirus.

Policia e Kosovës për lajmi.net ka bërë të ditur se kanë hardhuar urdhrin operativ “UO për Gatishmëri dhe Reagim për Coronavirus-in COVID19.

E gjithashtu thuhet se PK si pjesë e komisionit shtetëror për menaxhim dhe parandalim të koronavirusit, është në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente.

“Policia e Kosovës (PK), referuar vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe referuar Planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus të ri COVID-19,  ka hartuar me kohë urdhrin operativ policor të quajtur “UO për Gatishmëri dhe Reagim për Coronavirus-in COVID-19”. Policia e Kosovës është pjesë e komisionit shtetëror për menaxhim dhe parandalim të Koronavirus, dhe të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme janë ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, konform edhe angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim. Urdhri operativ i PK-së, ka për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin, prevëntimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat të këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gatishmërinë për ndihmë ka shprehur edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Ushtria e Kosovës nëpërmjet një njoftimi ka treguar se ka ngritur gatishmërinë operacionale në nivelin 2 dhe ka krijuar ‘Forcën për Detyrë’.

FSK ka bërë të ditur se me njesitë e specializuara për realizimin e operacioneve në kuadër të Mbështetjes Ushtarake Autoriteteve Civile, ka vendosur në gatishmëri personelin, pajisjet dhe sistemet për të parandaluar dhe mbrojtur qytetarët e Republikës së Kosovës nga pandemia “COVID 19”.

“Bazuar në vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me urdhër të Komandantit të FSK-së, Forca e Sigurisë së Kosovës ka ngritur gjendjen e gatishmërisë operacionale në nivelin 2 dhe ka krijuar Forcën për Detyrë. Me njësi të e specializuara për të realizuar operacione në kuadër të Mbështetjes Ushtarake Autoriteteve Civile, ka vendosur në gatishmëri personelin, pajisjet dhe sistemet për të parandaluar dhe mbrojtur qytetarët e Republikës së Kosovës nga pandemia “COVID 19”. Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, udhëzon qytetarët e Republikës së Kosovës që të respektojnë të gjitha rregullat, kufizimet dhe udhëzimet e dhëna nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe apelon tek të gjithë që të rrisin masat e kujdesit, por në asnjë moment mos të krijojmë frikë dhe panikë. Respektimi i rregullave dhe kufizimeve është ndihma më e madhe që secili qytetar i Republikës së Kosovës i bën vendit dhe shoqërisë. Forca e Sigurisë së Kosovës ju siguron se do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për ti dale në ndihmë në çfarëdo situate.”, thotë njoftimi i FSK-së.

Në anën tjetër, vlen të theksohet se në Kosovë janë të infektuar me koronavirus 86 persona, ku qyteti më i prekur është Malisheva me 25 raste.