I infektuari nga Kamenica: S’kam dalë nga Infektiva, kam barë shaka me postimin në rrjetet sociale

I infektuari nga Kamenica: S’kam dalë nga Infektiva, kam barë shaka me postimin në rrjetet sociale

Aktuale April 02, 2020 - 14:14

Personi i parë nga fshati Topanicë e Kamenicës, i cili doli pozitiv në testimet për virusin COVID-19, ka shkaktuar huti te qytetarët me publikimin e një fotoje në rrjetet sociale. Ai u konfirmua me koronavirus të hënën, ndërkaq publikoi fotografinë të mërkurën, ku shkroi se nuk e ndal as virusi e as ora policore. Por foton ku shihet rruga përmes një xhami të një automjeti duket se personi në fjalë e ka shkrepur më herët, pasi ai është duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Se fotoja nuk është publikuar të mërkurën ka thënë për gazetën “Express” edhe vetë personi i prekur me COVID-19. “Jo, jo, nuk është e vërtetë, fotoja është e vjetër, e kam postuar vetëm si shaka. Nëse e kisha ditë që kam koronasvirus nuk kisha dalë prej shtëpisë, se 10 anëtarë të familjes m’i ka prekë. Unë jam në spital, prejse më kanë pru këtu me ndihmë të shpejtë unë nuk kam dalë, as rezën e derës nuk e kam prekë”, ka deklaruar ai.

Edhe nga Klinika Infektive e QKUK-së kanë thënë për “Express”-in se banori i Topainicës së Kamenicës, i cili është prekur me COVID-19, po qëndron i shtrirë në Infektivë. “Pacienti në fjalë ka rezultuar si pozitiv me COVID-19, ai për momentin gjendet në Klinikën Infektive”, ka thënë për “Express”-in infektologu Valbon Krasniqi.

Ndërkohë, pas personit të parë nga fshati Topanicë rezultuan të infektuar edhe 11 persona të tjerë, të cilët kishin pasur kontakt me të.

10 nga të infektuarit janë familjarë të të infektuarit të parë, në mesin e tyre edhe një foshnjë 5-muajshe. Ndërkaq i infektuari i 11-të nuk është pjesë e familjes, por kishte pasur kontakt me të infektuarin.

I prekuri i parë nga Topanica, i cili punonte si shofer i linjës Kosovë - Gjermani dhe anasjelltas, ka hyrë në Kosovë më 19 mars përmes pikës kufitare “Dheu i Bardhë”.

Pas kthimit nga Gjermania ai nuk e respektoi vendimin për vetizolim, pasi gjatë periudhës 19 deri më 29 mars kishte shkuar edhe në fshatra tjera të Kamenicës.

Kujtojmë se fshati Topanicë e komunës së Kamenicës që nga e marta është shpallur zonë karantinë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Administratës Publike.

Sipas vendimit, kjo masë vendoset për shkak që qytetarët kanë pasur kontakt direkt me personin, i cili rezultoi pozitiv me koronavirus. “Fshati Topanicë, komuna e Kamenicës, shpallet zonë karantinë pasi banorët e këtyre fshatrave dyshohet se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personat e infektuar me koronavirus COVID-19”, thuhet në vendim.

Ndryshe, numri i personave të infektuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 125.

Megjithatë, deri më tani janë shëruar 10 nga 125 të infektuarit.

Derisa tashmë në vend është shënuar edhe viktima e parë nga koronavirusi.