Osmani kërkon angazhim të shtuar për mjedisin

Osmani kërkon angazhim të shtuar për mjedisin

Aktuale June 05, 2020 - 16:26

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës,Vjosa Osmani, ka takuar sot përfaqësuesit e Javës së Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm (KSDW)

Osmani gjatë takimit ka thënë se çështjet mjedisore duhet të jenë në fokus të përhershëm dhe se duhet të kemi vëmendje të veçantë se si i bëjmë ato të prekshme dhe të kuptueshme për të gjithë.

Në këtë kontekst, përveç angazhimit për një qasje miqësore ndaj mjedisit, Osmani, gjithashtu ka premtuar rol më aktiv të Kuvendit në adresimin e çështjeve që lidhen me mjedisin, përmirësimin e infrastrukturës ligjore si dhe zbatimin e ligjeve aktuale në fuqi.

Java e Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm paraqet platformën e parë të llojit të vet ne Kosovë dhe në Rajon, që bashkon në një ombrellë, ekzekutivin, komunitetin ndërkombëtar, dhe shoqërinë civile.

Duke përcjellë këtë model të bashkëpunimit, kryetarja e Kuvendit ritheksoi nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional për mbrojtjen e mjedisit.

“Ndikimi i veprimeve të përbashkëta tejkalon ndikimin e çdo veprimi individual”, është shprehur Osmani.

Në takim ishin prezentë edhe përfaqësues të ministrisë së Ekonomisë dhe Mjedisit, Zyrës së BE-së në Kosovë, GIZ Kosova, INDEP dhe BGF. /Zëri/