Infektuar: 4715
Shëruar: 2227
Vdekur: 101
Hajdari: Qeveria Hoti prishi gjithçka

Hajdari: Qeveria Hoti prishi gjithçka

Aktuale June 06, 2020 - 18:08

Pas heqjes së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, ish-ministrja e MEPTINIS-it, Rozeta Hajdari, ka thëne se kabineti "Hoti" nuk po e pranon Republikën e Kosovës, andaj, sipas saj, shfuqizoi sot vendimet e Qeverisë "Kurti" për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë, transmeton Zeri.info

Ajo tha se vendimet e ish-qeverisë qenë të mbështetura po aq sa të guximshme. "Reciprociteti është parim gjithësisht i pranuar i së drejtës dhe marrëdhënieve mes shteteve. Vendimet tona jetësuan këtë parim, të bazuar në aktet themeluese të Organizatës Botërore të Tregtisë”, ka shkruar Hajdari.

Ajo ka thënë se në bashkëpunim me ekspertë vendorë dhe përfaqësues biznesesh me 18 shkut 2020 kanë themeluar grupin punues për të bërë identifikimin dhe mënjanimin barrierave tregtare që autoritetet e Serbisë kanë vendosur ndaj Kosovës. Ky grup punues, sipas saj, në vijim kishte rekomanduar heqjen e tarifës dhe vendosjen e masave të reciprocitetit.

Njëherësh, Hajdari tha se prodhuesit vendorë kërkuan lehtësime për importimin e lëndës së parë. “Qeveria Kurti dëgjoi ekspertët dhe prodhuesit vendorë. Më 20 mars, nxori vendimin 01/14 që liroi nga tarifa 100-për qind lëndën e parë që importohej nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, duke paralajmëruar ndërkohë masa të reciprocitetit”, u shpreh Hajdari.

Ish-ministrja tutje theksoi se qeveria "Kurti kishte marrë vendim që me 31 mars të zbatojë gradualisht reciprocitetin si parim në marrëdhëniet me Serbinë. “Hoqi tarifën 100-përqind, mirëkuptoi rrethanat e ndjeshme të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa Serbisë iu përgjigj me kërkesa të ndërsjella për dokumentet tregtare. Por mbi të gjitha, ngritëm mekanizmin ndërinstitucional për të vëzhguar se si po zbatoheshin masat dhe sa të përshtatshme ishin ato masa për të mënjanuar barrierat e Serbisë”, tha ajo.

Hajdari ka theksuar se vendimet e marra nga qeveria "Kurti" kishin dhënë fryte dhe se reciprociteti i vendosur i kishte hapur rrugë tregtisë së lirë, ndërsa tha se sot kabineti "Hoti" prishi gjithçka. "Prodhuesit dhe eksportuesit vendorë i la pa mbrojtjen e shtetit, ndërsa Kosovën pa Republikë. Pa Republikë, dialogu me Serbinë është jo simetrik. Ai s’është dialog mes shteteve sovrane. Si do të shkoni në bisedime me Serbinë dhe kë do të përfaqësoni, z. Hoti? Pa reciprocitet s’mund të ketë barazi. Pa barazi s’mund të ketë liri. Pa liri s’mund të ketë zhvillim, as mirëqenie e as dinjitet për qytetarët”, ka përfunduar ish-ministrja e MEPTINIS-it, Rozeta Hajdari