Infektuar: 9869
Shëruar: 5480
Vdekur: 303
Rama Vuçiqit: Ti mund të shkosh edhe në Hënë, por për shqiptarët duhet të negociosh me shqiptarët

Rama Vuçiqit: Ti mund të shkosh edhe në Hënë, por për shqiptarët duhet të negociosh me shqiptarët

Aktuale July 03, 2020 - 13:44

Në konferencën e mbajtur në Tiranë në mes të kryeministrit të Kosovës Avdullah Hotit dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, ky i fundit ka folur për deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mosnjohjen e Kosovës, raporton “Zeri.info”.

Vuçiqi në një deklaratë të fundit për media tha se Serbia negocion me Perëndimin për Kosovën e jo me përfaqësuesit e Kosovës.

Për këtë deklaratë Rama tha se Vuçiqi nuk mund të negociojë me Perëndimin për shqiptarët.

“Përgjigjja ime është shumë e thjeshtë: presidenti Vuçiq i mbron interesat e Serbisë sipas këndvështrimit të tij, ai mund të thotë nuk negocioj me shqiptarët, por me Perëndimin, por nuk ka shanse që të negociojë me Perëndimin për shqiptarët”, tha Rama.

Ai tha se presidenti i Serbisë “mund të shkojë në Perëndim ose në Hënë”, por sipas tij “do të ulet me ne dhe me autoritetet legjitime të shtetit sovran të Kosovës”.

“Unë dua të them hapur se nuk është momenti për të bërë sikur është fatkeqësia që ne shpeshherë na ka ndjekur në historinë tonë që kur është dashur që të jemi të parët kur negociojmë me të tjerët kemi humbur raste historike dhe ia kemi bërë gropën vetes, sepse nuk negociojmë dot me njëri-tjetrin, kështu që nëse ne jemi të parët, presidenti i Serbisë mund të shkojë në Perëndim, në Lindje, edhe në Hënë po të dojë, por në fund do të ulet me ne dhe kur them me ne, mendoj se do të ulet me autoritetet legjitime të shtetit sovran të Kosovës që e njeh ose nuk e njeh ai, është sovran dhe i paprekshëm në sovranitetin e vet dhe natyrisht që ne do të mbështesim gjithmonë këtë vend”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Më tej shefi i ekzekutivit të Shqipërisë, Edi Rama, tha se deklarata provokuese e Vuçiqit ka dy rrugë: barrikadimin dhe rrugën e përpalljes. Sipas tij, e para është e dëmshme për shqiptarët, ndërsa e dyta është ballafaqimi sy me sy me mjete të paqes.

“Përballë deklaratave të tilla provokuese ka dy rrugë: njëra është rruga e barrikadimit dhe tjetra është rruga e përballimit. Barrikadimi është në dëmin tonë, jo në dëm të Serbisë, përballimi sy më sy me mjetet e paqes është sfida jonë, fiton kush është më i mençur dhe kush arrin të tregojë forcën e mendjes në paqe”, tha ai.

“Nuk fiton kush bën të fortin me deklarata përçarëse ose duke shfrytëzuar konjukturat e brendshme për t’u dukur përpara popullit si patriot i madh ose si flamurmbajtës i madh që po shpëton atdheun nga tradhtarët”, theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. /Zëri/