Infektuar: 9869
Shëruar: 5480
Vdekur: 303
Hoti kërkon nga deputetët të mblidhen për buxhetin

Hoti kërkon nga deputetët të mblidhen për buxhetin

Aktuale July 04, 2020 - 16:37

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të gjejnë mënyrë për të mbajtur seancën ku do të diskutohej dhe miratohej rishikimi i buxhetit për vitin 2020. Gjatë një vizite në Komunën e Suharekës, me rastin e nisjes së sezonës së korrje-shirjeve, Hoti tha që sa më parë nevojitet të kalojë buxheti në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të nisë zbatimi i masës për rikëmbjen ekonomike.

“Me këtë rast unë dëshiroj t’i lus sinqerisht të gjitha grupet parlamentare, të gjithë deputetët që të organizohen disi në këtë kohë të pandemisë – e di që disa prej deputetëve janë të prekur nga kjo, si dhe stafi i kuvendit – por, të gjejnë mënyra, të gjejnë forma se si mund të mbahet një seancë e kuvendit, që sa më parë të kalojë buxhetin, si dhe marrëveshjet ndërkombëtare që janë të lidhura me fondin për rimëkëmbje”, tha Hoti.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën, ka vendosur një sërë masash për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit. Njëra nga këto masa është edhe ndalimi i grumbullimit të më shumë se 50 personave në çfarëdo ambienti, raporton Radio Evropa e Lirë.

Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ka prezantuar më herët masat e rimëkëmbjes ekonomike, pas përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Fondi i rimëkëmbjes ekonomike është parashikuar të jetë mbi 380 milionë euro. Por, paraprakisht, duhet që buxheti i këtij viti të rishikohet dhe miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Në qershor, deputetët dështuan që të ratifikojnë një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare financiare që do të mundësonin realizimin e pakos për rimëkëmbjen ekonomike. Këto marrëveshje janë në vlerë prej 253 milionë eurosh.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Banka Botërore, në një raport të saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4.5 për qind në Kosovë./REL