Vuçiq: Protestat synuan dobësimin e pozicionit të Serbisë para takimeve në Paris dhe Bruksel

Vuçiq: Protestat synuan dobësimin e pozicionit të Serbisë para takimeve në Paris dhe Bruksel

Aktuale July 08, 2020 - 15:55

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk ka asnjë dyshim se protestat e dhunshme në Beograd kanë pasur për qëllim dobësimin e pozicionit të Serbisë para bisedimeve në Paris dhe Bruksel.

“Më shumë detaje do të bëhen të ditura pasi shërbimet tona të bëjnë një analizë të ngjarjeve”, tha Vuçiqi në një konferencë për media në Beograd, një ditë pasi protestuesit sulmuan ndërtesën e parlamentit serb për të kundërshtuar planet për rivendosjen e orës policore si masë kundër pandemisë.

Incidentet, në të cilat u plagosën dhjetëra policë dhe civilë, ndodhën dy ditë para se presidenti i Serbisë të takohet në Paris me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, me të cilin pritet të bisedojë për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërkohë, më 10 korrik është paraparë një videosamit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin e kanë organizuar presidenti Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë më 12 korrik pritet të takohen në Bruksel, ngjarje kjo që do të shënojë edhe rifillimin e dialogut ndërmjet dy vendeve, i ndërprerë në fund të vitit 2018.

Presidenti serb tha se në këto takime do të “luftojë për Kosovën”.

Protestat në Beograd shpërthyen pasi Vuçiqi, të martën, paralajmëroi se mund të rivendoset ora policore për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike.

Megjithatë, të mërkurën, Vuçiqi tha se Shtabi i Krizës me siguri se nuk do të propozojë vendosjen e orës policore.

“Unë jam kundër kësaj”, tha Vuçiqi, duke shtuar se një masë e tillë do të ndihmonte në përmirësimin e situatës me pandeminë. /REL