Kryeministri Hoti: Nuk do të ketë vazhdim automatik të mandatit të asnjë zyrtari të lartë

Kryeministri Hoti: Nuk do të ketë vazhdim automatik të mandatit të asnjë zyrtari të lartë

Aktuale August 07, 2020 - 15:25

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka ritheksuar se Qeveria është e vendosur që të sigurojë profesionalizëm në pozita të larta të institucioneve publike dhe bordeve të ndërmarrjeve publike nëpërmjet ofrimit të mundësive të barabarta për të gjithë, garës së hapur dhe transparencës në përzgjedhje.

Hoti ka thënë se Ligji i ri për Zyrtarët Publikë ka hyrë në fuqi dhe sipas tij është vendosur të mos ketë vazhdim automatik të mandatit të asnjë zyrtari të lartë në asnjë institucion.

“Me mbarimin e mandatit të zyrtarëve në pozita të larta publike do të hapet konkursi sipas ligjit për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë, garë të hapur dhe transparencë. Vetëm kjo qasje na siguron se përzgjidhen më të mirët. Ky proces do të mbikëqyret edhe nga ekspertët e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, duke u bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar para një muaji në mes të Ambasadës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoti në deklaratën e tij të publikuar në “Facebook”.

Kryeministri Hoti ka thënë se konkursi për bordet e ndërmarrjeve publike do të jetë i hapur deri më 14 gusht 2020. “Ftoj të gjithë të interesuarit të konkurrojnë. Do të sigurohet transparencë e plotë në përzgjedhje, ndërsa procesi do të mbikëqyret nga ekspertët e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar. Ftoj edhe organizatat e shoqërisë civile ta mbikëqyrin nga afër këtë proces”, tha ai. /Zëri