Hoti: Kosova ka përfituar mbi 1 miliard dollarë investime nga marrëveshja në SHBA
Foto: Laura Hasani

Hoti: Kosova ka përfituar mbi 1 miliard dollarë investime nga marrëveshja në SHBA

Aktuale September 09, 2020 - 16:39

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur sot pas mbledhjes së Qeverisë për marrëveshjet e nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë.

Hoti këto marrëveshje i ka cilësuar si një hap të jashtëzakonshëm për Kosovën, ndërsa ka thënë se vendi ynë do të përfitojë mbi 1 miliard dollarë investime, ku përfshihen autostrada, hekurudha dhe investime në energji, transmeton Zeri.info.

“Marrëveshja ka dy elemente kryesore, e para është ekonomike për të cilën kemi negociuar një kohë, ku përfshihen projekte infrastrukturore si autostrada Prishtinë – Merdare, hekurudha Prishtinë – Merdarë, fizibiliteti për hekurudhën që lidh Prishtinën me Detin Adriatik, mbështetje financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, investime në energjetikë përmes sjelljes së gazit në Prishtinë, ndërtimi i termocentralit me gaz dhe rrjeti shpërndarës i gazit në Kosovë. Krejt këto janë projekte që do të mbështeten nga organizatat e qeverisë amerikane, DFC dhe MCC. Këto janë projekte që kalojnë në vlerë mbi 1 miliard dollarë”, ka thënë Hoti pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai ka shtuar se është interesim i madh i Shtëpisë së Bardhë që këto projekte të fillojnë së zbatuari menjëherë, duke u zotuar se për disa muaj do të shihen punët konkrete që lidhen me këto projekte. /Zëri