Ukraina paralajmëron njohjen e shtetit të Kosovës

Ukraina paralajmëron njohjen e shtetit të Kosovës

Aktuale September 24, 2020 - 09:35

Zëvendësministri i Jashtëm ukrainas, Vasyl Bodnar, ka paralajmëruar një njohje të mundshme të shtetit të Kosovës nga Kievi zyrtar.

Sipas diplomatit ukrainas, nuk duhet të bëhen paralelizime mes Kosovës dhe Krimesë pasi sipas tij janë dy gjëra krejt të ndryshme nga njëra-tjetra.

“Tradicionalisht ne kemi qenë të vendosur për sovranitetin territorial të vendit. Ky është një parim yni. Por për ne nuk ka një paralele mes dy rasteve. Kjo për shkak se rasti i Kosovës është diçka dhe ai i Krimesë është diçka tjetër. Në rastin e Kosovës kemi një vend që është njohur nga një numër i caktuar shtetesh dhe në rastin e Krimesë flitet për një territor që është marrë me forcë nga Rusia. Pra nuk është një çështje e thjeshtë. Ne nuk e kemi njohur Kosovën formalisht, por nëse sheh hapat tanë ka diçka. Vitin e kaluar ne morëm vendimin për të punuar me pasaportat e Kosovës”, ka thënë Bodnar në një intervistë për “RTV Ora”.

Ai ka thënë se ambasadori ynë këtu (Tiranë) dhe ambasadorët në vende të tjera të botës kanë marrë direktiva për t’i njohur këto pasaporta dhe për të mos limituar udhëtimet.

“Ndoshta duke filluar nga hapa të tillë të vegjël mund të shkojmë drejt disa rezultateve. Nuk po flas për një perspektivë të caktuar, pasi pozicioni ynë formal është pozicioni ynë formal. Pra, na duhet ta trajtojmë këtë rast në rrethanat ku ndodhemi”, tha Bodnari.

Aktualisht, pavarësisht fushatës së fortë të Serbisë për njohje, Kosova njihet nga 116 shtete.