Vdes ish-deputeti i Kuvendit të Kaçanikut, Ali Shahini

Vdes ish-deputeti i Kuvendit të Kaçanikut, Ali Shahini

Aktuale October 26, 2020 - 10:28

Ka vdekur ish-deputeti Ali Shahini, i cili ishte pjesë e Kuvendit të Kaçanikut.

Shahini ishte edhe nënshkrues i Kushtetutës së Kaçanikut të vitit 1990.

Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka ngushëlluar familjen Shahini, ndërsa ka vlerësuar kontributin e tij dhe të familjes Shahini për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të deputetit të Kushtetutës së Kaçanikut më 7 Shtator 1990, prindit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Shahini. Vepra e tij e guximshme për themelet e Kosovës, e mishëruar në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutën e Kaçanikut të 7 Shtatorit 1990, frymëzim që brumosi edhe bijtë e tij në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë është skalitur në faqet e historisë së re të Kosovës. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e të njohurve të të ndjerit. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Aliu. /Zëri