KMDLNJ ngre dyshime për korrupsion me testet për COVID-19 nga IKSHPK-ja
Foto: Ilustrim

KMDLNJ ngre dyshime për korrupsion me testet për COVID-19 nga IKSHPK-ja

Aktuale October 26, 2020 - 12:39

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka thënë se ka dyshime të bazuara për korrupsion në lidhje me kryerjen e testeve për COVID-19 nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Këtë deklaratë KMDLNJ-ja e ka bazuar në raportet që ky institut i lëshon çdo ditë e ku thuhet se “brenda 24 orëve janë bërë, ta zëmë, 1058 testime në institucionet publike dhe në laboratorë privatë të licencuara, pa treguar saktësisht se sa testime janë bërë në institucionet publike dhe sa në ato private”.

“Nëse kjo nuk sqarohet dhe nëse vazhdohet me raportime të përgjithësuara, atëherë lindin dyshime të bazuara për korrupsion, sepse po mungon transparenca”, potencon Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Ndër të tjera, Këshilli i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë edhe rritjen e numrit të testeve ndaj koronavirusit.

Këtë kërkesë ky Këshill e bazon në deklaratën e ministrit Armend Zemaj, i cili, pasi kishte pranuar 100 mijë teste për COVID-19 nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), kishte thënë se janë krijuar kushtet për trefishim të numrit të testeve.

Sipas KMDLNJ-së, para këtij donacioni numri i testimeve ishte midis 400 – 500 testime brenda 24 orëve, ndërsa ky numër është rritur deri në afërsisht 1000 testime, që, sipas KMDLNJ-së, është i ulët, i krahasuar me vendet e rajonit.

Por Këshilli thotë se duke u bazuar në pajisjet aktuale dhe me këtë potencial kuadrosh, Kosova nuk ka kapacitet të bëjë më shumë se 1000 testime brenda 24 orëve.

Sipas informatave që posedon KMDLNJ-ja, IKSHPK-ja është në pritje të pajisjeve teknike nga Banka Botërore, që pritet të jenë të disponueshme afërsisht brenda një muaji “dhe pastaj do të kemi rritje të ndjeshme të testimeve”.

“Realisht, pas kësaj testet e siguruara nga KFOS-i do të shpërndaheshin në 6 qendra, duke e rritur numrin e testimeve deri në 3000 testime brenda 24 orëve. Vetëm pas kësaj do ta kemi një pasqyrë më të qartë dhe do të ketë mundësi të ndërmerren masa efikase parandaluese për zvogëlim të zgjerimit të pandemisë”, thotë KMDLNJ-ja.

Më tej, thuhet se realizimin e kësaj dinamike të paraparë mund ta ngadalësojë ose pengojë vetëm mungesa e kuadrit të profesionalizuar, që do të bëjë testimet aq më parë sa pajisjet e reja janë më të përparuara dhe se duhet trajnim shtesë për stafin shëndetësor që do të bëjë testimet.

Në këtë kontekst KMDLNJ-ja i rekomandon IKSHPK-së që të bëjë trajnimet e duhura në mënyrë që të sigurojë staf të mjaftueshëm dhe të domosdoshëm për testime, si për nga numri, ashtu edhe nga profesionalizmi.

Tutje, ky Këshill thotë të ketë pranuar ankesa nga qytetarët që “deklarojnë se janë diskriminuar gjatë caktimit të afateve për testim”.

“Vërejtjet dhe ankesat e qytetarëve kanë të bëjnë kryesisht me kategoritë e cenueshme, e që do të duhej të kishin prioritet absolut si: të moshuarit, të sëmurët me sëmundje të rënda kronike (nga zemra, kanceri, diabeti etj.), pjesëtarë të komunitetit rom, egjiptian dhe ashkalinj, të privuar nga liria ose të liruar në kohë pandemie etj. Edhe sot e kësaj dite ndodh që personat e sëmurë nga sëmundje të rënda kur kërkojnë t’u bëhet testi COVID -19, ndonëse kanë familjarë me COVID pozitivë ose kanë qenë në kontakt me persona të infektuar, termini për testim u caktohet në një afat kohor 14-20 ditë, që nënkupton se duhet të presin dy javë derisa të testohen e që, përveçse është jonjerëzore nga aspekti etik, me këtë veprim ose mosveprim seriozisht u rrezikohet shëndeti”, ka thënë KMDLNJ-ja.

KMDLNJ-ja thotë se edhe më parë ka deklaruar se mbrojtja e shëndetit është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut dhe në këtë kontekst shteti ka detyrim të bëjë testime falas për të gjithë qytetarët që në rrethana të pandemisë janë varfëruar edhe më shumë, sidomos për grupet e cenueshme; të moshuarit, pensionistët, të sëmurët me sëmundje të rënda kronike etj.

KMDLNJ-ja edhe më tutje këmbëngul që testimet të bëhen pa pagesë, sidomos për grupet e margjinalizuara, aq më parë se për këtë qëllim janë ndarë mjete të konsiderueshme nga buxheti i Kosovës dhe se janë dhënë shumë donacione, si në pajisje, ashtu edhe në para.

“Grupet e cenueshme duhet të trajtohen me prioritet absolut, ndryshe shteti do të marrë përgjegjësi për shëndetin dhe jetën e tyre. KMDLNJ-ja kërkon që të bëhet testimi i të gjithë personave të privuar nga liria dhe stafit, në mënyrë që ata të realizojnë të drejtat e garantuara me LESP e që tani po u mohohen për shkak të rritjes së numrit të rasteve. KMDLNJ-ja vlerëson se me rritjen e numrit të testimeve rriten edhe mundësitë për marrjen e masave efikase parandaluese e që deri më tani kjo mundësi ka qenë e kufizuar”, ka përfunduar KMDLNJ-ja. /Zëri