500 mijë vaksinat nga Pfizer, Kuvendi i Shqipërisë miraton me 94 vota marrëveshjen

500 mijë vaksinat nga Pfizer, Kuvendi i Shqipërisë miraton me 94 vota marrëveshjen

Aktuale January 18, 2021 - 22:54

Në seancën e dytë plenare për këtë sesion të fundit parlamentar para zgjedhjeve të 25 prillit Kuvendi miratoi tre akte normative për sigurimin e vaksinën kundër koronavirusit.

Mes tre akteve ishte edhe aprovimi i marrëveshjes së qeverisë shqiptare me kompaninë gjermano-amerikane PfizerBioNtech për 500 mijë vaksina anti-covid.

Tre aktet nuk ishin parashikuar në rendin e ditës, të kësaj seance, por u miratuan, pasi kryeparlamentari Gramoz Ruçi në nisje të punimeve të Parlamentit kërkoi që këto tre akte të përfshiheshin dhe të hidheshin në votim.

Por kjo kërkesë e Ruçit solli kundërshti nga disa deputetë të opozitës në Parlament, të cilët kërkuan që fillimisht të njihen me përmbajtjen e marrëveshjes dhe më pas të votojnë.

Sakaq, kryeministri Rama në fjalën e mbajtur në seancë iu rikthye edhe një herë qëndrimeve kritike ndaj Bashkimit Europian lidhur me braktisjen, që sipas tij i është bërë të vendeve të rajonit në procesin e vaksinimit.

Të tre aktet normative për vaksinimin morën nga 94 vota pro, ndërsa kundër u shprehën vetëm 5 deputetë./euronews