Gashi: Çështjet e migrimit kërkojnë bashkërendim ndërinstitucional
Foto: Laura Hasani

Gashi: Çështjet e migrimit kërkojnë bashkërendim ndërinstitucional

Aktuale April 26, 2024 - 20:23

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Gashi ka marrë pjesë në takimin e grupit punues për migrim, të ftuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

"Gashi ka vlerësuar se çështjet e migrimit të popullsisë kërkojnë bashkërendim të veprimeve institucionale, por edhe partnerëve ndërkombëtarë", thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Ajo ka prezantuar disa nga iniciativat e MPJD-së që ndërlidhen me Diasporën dhe kanë për synim angazhimin e pjesëtarëve të saj në të mirën e përgjithshme të vendit dhe qytetarëve.

"Pjesëmarrja ime sot këtu është në kontekstin e angazhimit të Diasporës dhe transferimit të dijes në vendin amë", citohet të ketë thënë zëvendësministrja Gashi.

"Në këtë vit për herë të parë kemi krijuar platformën eDiaspora e cila mundëson edhe regjistrimin online të bashkatdhetarëve", ka vazhduar ajo duke e cilësuar regjistrimin e popullsisë si një mundësi të jashtëzakonshme për të kuptuar pasqyrën demografike dhe sociale të popullatës sonë si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Zëvendësministrja ndër të tjerash bëri të ditur se në kuadër të programit për “Diplomaci Qytetare”,, tashmë është lansuar thirrja për bursistët e gjeneratës së tretë.

"Kjo është një mundësi e ndërlidhjes së profesionistëve të rinj që janë rikthyer në Kosovë e që janë të angazhuar nëpër institucione”, ka thënë z Gashi.

Ajo ka vlerësuar lartë bashkëpunimin që MPJD-ja e ka me Organizatën Ndërkombëtare të Migrimit (IOM), duke njoftuar se përmes këtij partneriteti është mundësuar angazhimi i ekspertëve nga Diaspora.

Megjithatë sipas saj, për angazhimin e këtyre ekspertëve duhet të krijohen lehtësira në aspektin e procedurave të migrimit dhe marrjes së lejes së punës si ekspertë të jashtëm.

"Qëllimi është që të ndërtohet një sistem më fleksibil”, tha Gashi. /Zëri