Pipero thotë se të gjitha vaksinat anti-COVID janë 100% efektive

Pipero thotë se të gjitha vaksinat anti-COVID janë 100% efektive

Aktuale April 14, 2021 - 11:10

Doktori shqiptar Pëllumb Pipero ka folur rreth procesit të vaksinimit masiv në Shqipëri.

Në një prononcim për “TopChannel” në lidhje me situatën në të cilën ndodhet vendi, Pipero shprehet se situata paraqitet më e qetë dhe numri i rasteve të reja është në ulje krahasuar me dy muaj më parë.

“Situata është më e qetë, numri i rasteve të reja të shtruara është më i ulët, është në rënie. Krahas rënies së shtrimeve të reja në spital edhe numri i rasteve të reja ka qenë në një rënie të dukshme, diku te 10% i rasteve të testuara, 2 ose 3 herë më i ulët se 2 muaj më parë. Duket një situatë me e qetë se para 1 muaji”, shprehet Pipero.

Nuk kanë munguar as skeptikët për bërjen e vaksinës anti-COVID dhe për ta Pipero ka një mesazh, në të cilin shprehet se të gjitha vaksinat që janë në qarkullim janë 100 për qind efektive.

“Vaksinat që janë të regjistruara dhe të përdorura në vendin e origjinës, që kanë një eksperiencë në përdorim në mijëra qytetarë në mbarë botën, janë të mira. Edhe për mua të gjitha vaksinat janë të mira dhe vaksina më e mirë është ajo që i ofrohet më shpejt qytetarit, efekti apo qëllimi i një vaksine është të mundësojë jo vetëm mosinfektimin por edhe nëse infektohesh të mos sëmuresh rëndë. Të gjitha vaksinat që janë në qarkullim e kanë 100% efektin, çdo person që vaksinohet qoftë me atë kineze, me ‘Pfizer’ apo tjetër është 50% më shumë i mbrojtur, 50% më pak i rrezikuar”, deklaroi Pipero.

Ai tha se vaksinat janë shumë të mira, ndërsa u bëri apel të gjithë skeptikëve të mos i referohen “Google”-s ose lajmeve, por mendimit të specialistëve.

“Një vaksinë që hyn në një vend duke marrë miratimin e komitetit të vaksinimit është një vaksinë shumë e mirë. Edhe procesi i vaksinimit është politizuar paksa, sugjeroj t’ua lemë në dorë specialistëve”, tha Pëllumb Pipero.