Ish-kryetari i Gjykatës Supreme për rastin e Agonis Tetajt: Besoj se aty ka pasur vrasje nga pakujdesia

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme për rastin e Agonis Tetajt: Besoj se aty ka pasur vrasje nga pakujdesia

Aktuale April 14, 2021 - 21:42

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, ka komentuar vrasjen e Agonis Tetajt, e cila ndodhi në shtatorin e vitit 2018 në kompaninë “Gogaj AG” në Deçan dhe vendimin e prokurorit të rastit për ricilësimin e kësaj vepre nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Hasani vlerëson se ricilësimi i kësaj vepre ishte i duhur, pasi që, sipas tij, është e vështirë të besohet se ka pasur një motiv a qëllim që të kryhet ajo vrasje.

“Unë e kam pa. Vërtet është e tmerrshme ajo për familjen e viktimës, por edhe për familjen e autorit të kësaj vrasje. Mirëpo, ligji te ne njeh 3 lloj vrasje, ligji, por edhe çdokund e drejta penale në botë, njeh 3 lloj vrasje, vrasjet e rëndomta, të rënda, por edhe vrasje të privilegjuara, ose vrasje nga pakujdesia. Domethënë vetë fjala vrasje nga pakujdesia do të thotë kur ti je i pakujdesshëm, i pavëmendshëm dhe e vret tjetrin pa pasur dashje për ta vrarë”, ka thënë Hasani.

Ai tutje, ka thënë se sipas përvojës së tij, është vështirë të besosh se ka ekzistuar qëllimi i dikujt për ta vrarë dikë, derisa ka thënë se askush nuk e di se ka pas një të keqe mes viktimës dhe vrasësit.

Hasani, po ashtu ka shpjeguar në njëfarë forme se si ka ndodhur që të ndërrohen revolet, nga ajo me gaz në revole me plumb.

“Prokurori ka të drejtën me ricilësu veprën penale kur konsideron se është e tillë. Mirëpo unë thashë nëse ngjarja është ashtu si përflitet se kanë ekzistuar dy revole, njëra ka qëndruar në këllëf, ndërsa kjo me gaz ka qëndruar jashtë këllëfit dhe nëse është e vërtetë që dikush e ka ndërruar atë revole, që po del që po, gabimisht e ka ndërruar, në vend që me e fut në këllëf vrasësen, e ka fut këtë me gaz dhe ky s’ka pas kurrë të keq me të, nuk din kush që ka pas të keq me të”, shtoi ai.

Bazuar në pamjet e kamerave që shfaqin momentin e vrasjes, Fejzullahu thotë se Shaban Gogaj, i akuzuari për këtë vrasje, nuk ka pasur shënjestër dhe qëllim për të vrarë Agonis Tetajn.

Ai thotë se Gogaj nuk ka pasur target.

“Unë po flas nga prizma e spektatorit që sheh nga distanca virtualisht, pa e pa, e pa i lexu ato dosje e shkresa të lëndës, mirëpo nëse e shikoni me vëmendje, ju e shikoni se ai nuk ka pas target fare, domethënë shtënia e tij nuk ka qenë target, target dukeshin se ishin të tre, që ka mund secilin nga këta tre të goditet, se ky ka gjuajtur në drejtimin e tyre, ngase këto armë me gaz nuk prodhojnë pasoja”, tha Fejzullah Hasani, në DTV.

Kësisoj, ai thotë se një vrasje të tillë, ligji e njeh si “vrasje nga pakujdesia”.

“Unë të thashë nuk mund të them tash me përpikëri a ishte a s’ishte, por nga ajo çka kam pa virtualisht nëpër media, unë më shumë jam i prirë për të besu se aty ka pasur vrasje nga pakujdesia”.

Deklaratat e dëshmitarëve që Shaban Gogaj ka qenë një menaxher që u ka bërë presion punëtorëve, ish-kryetari i Supremes thotë se nuk e mbështesin akuzën se ai ka pasur qëllim ta vrasë dikë, madje në prani të kamerave.

Ish-kryetari i Supremës komentoi edhe fotografinë e avokatit të Gogajt, Besnik Berishës dhe prokurorit të rastit, Agron Uka, në të cilën ata shihen në një restorant bashkë.

Hasani tha se takimet mes avokatëve, prokurorëve e gjyqtarëve është e pamundur të shmangen për shkak se puna i lidh palët dhe profesionistët e fushës së drejtësisë nuk mund të izolohen. Mirëpo, ai thotë se është e vështirë ta bindësh publikun që ka qenë takim rastësor.

Më 16mars të vitit 2021, ishte bërë rikualifikimi i veprës në rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj nga Deçani, nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”. Lidhur me këtë, familja e viktimës kishte dërguar një letër publike në adresë të kryeprokurorit të shtetit dhe ambasadorit të SHBA-së, Britanisë e Gjermanisë në Prishtinë.

Babai i viktimës, Isuf Tetaj, në letrën publike po e akuzonte prokurorin e rastit, Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj.

“Agonisi djali im u vra në vendin e punës në ditën e diele nga djali i pronarit të biznesit në të cilin ka qene i punësuar. Po ju shkruaj me qëllim që te ju informoj dhe alarmoj se prokurori z.Agron Uka, dje ne seancën gjyqësore në të cilën është thënë fjala përfundimtare nga palët pa asnjë provë dhe në kundërshtim me krejt realitetin ka rikualifikuar vrasjen e djalit tim nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, kishte shkruar Isuf Tetaj në letrën e tij.

Në letrën e tij publike, Isuf Tetaj ka bashkëngjitur edhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.

Po ashtu, Isuf Tetaj në këtë letër ka bashkëngjitur edhe videon nga momenti i vrasjes së djalit të tij, në vendin e punës.

Me këtë letër, ai po kërkonte që të përjashtohet prokurori Agron Uka nga ky rast si dhe të vendoset gjykim meritor lidhur me vrasjen e djalit të tij.

E pak ditë më vonë, kryeprokurorit i shtetit, Aleksandër Lumezi, vendosi të ndërrojë prokurorin në lëndën e vrasjes së Agonis Tetaj pasi u bë publike videoja e momentit të vrasjes që kishte ndodhur në një market në Deçan në vitin 2018.

“Si Kryeprokuror i Shtetit jam i shqetësuar dhe njëkohësisht i gatshëm që drejtësia të shkojë në vend. Prandaj, për të parandaluar njëanshmërinë dhe për t’iu shmangur paragjykimeve për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, sot kam marrë vendim që brenda kompetencave të mia ligjore të marrë lëndën nga prokurori i çështjes dhe ta ricaktojë atë te një prokuror tjetër”, thuhej në deklaratën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezi.

Këtë vendim të Lumezit, ish-kryetari i Supremes e quan skandaloze dhe në kundërshtim me ligjin.

Ai thotë se nuk duhet të ndërmerren këso veprime vetëm për shkak se ricilësimi i veprës nxiti reagime të shumta në publik, nga njerëz të cilët ai thotë se nuk e njohin fare fushën e drejtësisë dhe ligjin.

“Por unë një po ua them sjellja e zyrës së Prokurorit, ajo ka qenë që nuk e njeh praktika gjyqësore, praktika nuk e njeh, thirrjet e tilla në opinion për ta ndërru prokurorin, as nuk mund të ndodh kund në botë, as nuk e njeh një mundësi të tillë”, ka thënë ish-kryetari i Supremes Fejzullah Hasani./DTV