Kurteshi i LVV-së thotë se shumica e mediave në Kosovë janë produkt i krimit të organizuar

Kurteshi i LVV-së thotë se shumica e mediave në Kosovë janë produkt i krimit të organizuar

Aktuale April 17, 2021 - 23:33

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror Zgjedhor, Sami Kurteshi, ka thënë se shumica e mediave në Kosovë kryejnë “krim medial”.

Sipas Kurteshit, "shumica absolute e mediave në Kosovë kanë qenë dhe janë produkt i krimit të organizuar institucional të pushteteve njëzetvjeçare".

"Fatkeqësisht, kjo është fytyra, përmbajtja, shpërfaqja dhe veprimi i shumicës së mediave, sidomos atyre audiovizuele dhe elektronike në Kosovë. Në këtë shumësi krimi medial, moti, shumë moti janë bërë gati të padukshëm gazetare/ët dhe mediat në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Mediat, shumica absolute e tyre ishin dhe janë njëkohësisht produkt dhe mashë e krimit të organizuar institucional të pushteteve njëzetvjeçare në Kosovë. Prandaj, nuk mund të ketë as përmbajtje, as shpërfaqje e as veprime të tjera nga krijuesit dhe sponzorët e vet.

Krimi medial dhe i mediave në Kosovë nuk mund të mbetet temë tabu në Kosovë!

Tregu medial në Kosovë nuk lirohet ngakrimi brenda vetes pa një katarzë të brendshme”, ka shkruar Kurteshi në Facebook.

Ky reagim i Kurteshit vjen pas lajmit të publikuar nga gazeta “Insajderi”, sipas të cilës ministri i Shëndetësisë Arben Vitia nuk ka nënshkruar kontratën me prodhuesin e vaksinave “Pfizer” brenda afateve të parapara.

Ndërsa, Prokurori i Shtetit ka njoftuar sot se ka autorizuar Policinë e Kosovës në marrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për të iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

Policia ndërkaq bëri të ditur se deri më tani kanë marrë në pyetje drejtuesit e "Insajderit", por me sa duket, presioni i madh publik bëri që hetimet të vazhdojnë vetëm kah zyryarët shtetërorë për rrjedhje të informatave, e jo edhe në media. /Zëri