Shoqëria civile, e kënaqur me zgjedhjen e Sogojevës si komisionare e Agjencisë për Informim dhe Privatësi
Foto Ilustruese

Shoqëria civile, e kënaqur me zgjedhjen e Sogojevës si komisionare e Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Aktuale June 17, 2021 - 21:20

Në seancën plenare të Kuvendit sot Krenare Sogojeva-Dërmaku u zgjodh komisionare e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, raporton Zeri.info.

Për këtë, organizata të shoqërisë civile thonë se Sogojeva-Dërmaku është rekomanduar para dy viteve nga ekspertët britanikë, por që atë kohë nuk kishte marrë votat e mjaftueshme.

“Në seancën parlamentare të mbajtur më 17 qershor 2021 është votuar Krenare Sogojeva Dërmaku për Komisionere për Informim dhe Privatësi. Znj. Sogojeva Dërmaku është rekomanduar dy herë nga ana e ekspertëve të angazhuar nga ambasada britanike per rekrutim në pozitat e larta mirëpo nuk kishte marrë votat e mjaftueshme”, thotë një grup i OJQ-ve.

Në anën tjetër, shoqëria civile thotë se deputetët e opozitës kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve të tyre, pasi këta të fundit lëshuan sallën gjatë këtij votimi.

“Ne shprehim zhgënjimin tonë të thellë me bojkotimin e këtij procesi nga ana e opozitës. Deputetët kanë obligim kushtetues që të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë. Ata kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve të tyre”, thuhet në reagimin e tyre.

OJQ-të i kanë bërë thirrje Sogojeva-Dërmakut që rekrutimin e safit ta bëjë në mënyrë transparente dhe ta lejojë shoqërinë civile që të monitorojë nga afër këto procese.

“Ne e ftojmë znj. Sogojeva Dërmaku që të fillojë reformimin aq të nevojshëm të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, të përzgjedhë stafin e agjencisë -sidomos inspektorët- në bazë të meritave, të kryej punën me përgjegjësi dhe profesionalizëm në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me qasjen në dokumente publike dhe të mbrojë të dhënat personale të qytetarëve të Kosovës. Ftojmë znj. Sogojeva që rekrutimin e safit ta bëjë në mënyrë transparente duke lejuar shoqërinë civile që të monitorojë nga afër këto procese. Ne presim që vendimet e agjencisë të jenë të shkruara në mënyrë profesionale, të bazuara në standardet evropiane, të arsyetuara mirë dhe lehtësisht të qasshme në uebsite", thuhet më tej në këtë reagim.

Lidhur me dyshimet e ngritura për dokumentet e dorëzuara nga kandidati për Komisioner në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, Enver Bujari, OJQ-të thonë se ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari Lila, bëri thirrje që të përfshihet prokuroria.

"Në mënyrë që të largohen dyshimet e paraqitura gjatë këtij procesi, ne i sugjerojmë panelit intervistues që të ndjekë këshillen e znj.Kusari Lila duke iu drejtuar prokurorisë”, thanë OJQ-të.

Ato thanë se do të vazhdojnë të monitorojnë për së afërmi punën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. /Zëri

OJQ-të nënshkruese:

FOL

Flutura Kusari

GLPS

KDI

KCSF

Çohu

D4D

GAP