Nimani: Rezultatet kanë prodhuar Kuvend pa shumicë të qartë, Kosova rrezikon bllokadë institucionale
Foto: Laura Hasani

Nimani: Rezultatet kanë prodhuar Kuvend pa shumicë të qartë, Kosova rrezikon bllokadë institucionale

Aktuale June 17, 2026 - 19:43

Ish-kandidati për deputet, Artan Nimani ka analizuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, duke thënë se përbërja e re e Kuvendit të Kosovës paraqet sfida për formimin e institucioneve dhe funksionimin afatgjatë të tyre.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nimani ka vlerësuar se edhe pse Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike, ajo nuk ka siguruar numrat e nevojshëm për të qeverisur e vetme.

“Rezultatet e 7 qershorit 2026 kanë prodhuar një Kuvend pa shumicë të qartë. Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet forca e parë politike me 53 deputetë, por pa numrat e nevojshëm për të qeverisur e vetme”, ka shkruar Nimani.

Sipas tij, PDK ka siguruar 22 deputetë, LDK 18 dhe AAK 7, ndërsa deputetët e komuniteteve mund të kenë rol përcaktues në krijimin e shumicës parlamentare.

“PDK ka 22 deputetë, LDK 18 dhe AAK 7, ndërsa deputetët e komuniteteve mbeten përcaktues për krijimin e shumicës parlamentare”, ka deklaruar ai.

Nimani ka theksuar se sfida për institucionet e Kosovës nuk lidhet vetëm me formimin e qeverisë, por edhe me procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.

“Megjithatë, sfida nuk përfundon me formimin e qeverisë. Kosova hyn në një periudhë kushtetuese dhe politike shumë më komplekse, pasi zgjedhja e Presidentit të Republikës kërkon së paku 80 deputetë të pranishëm në seancë, ndërsa në dy raundet e para nevojiten 80 vota, kurse në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota, por sërish me pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve”, ka shkruar ai.

Sipas Nimanit edhe një qeveri e formuar me një shumicë minimale parlamentare mund të përballet me vështirësi për të siguruar zgjedhjen e presidentit.

“Kjo do të thotë se edhe nëse krijohet një qeveri me 61 ose pak më shumë deputetë, ajo mund të mos ketë kapacitetin politik për të siguruar zgjedhjen e Presidentit. Në një skenar të tillë, rreziku i një bllokade institucionale është real”, ka vlerësuar Nimani.

Ai ka bërë thirrje që partitë politike të arrijnë një konsensus më të gjerë për funksionimin e institucioneve, përtej marrëveshjeve për krijimin e qeverisë.

“Përveç negociatave për formimin e qeverisë, partitë politike do të duhet të ndërtojnë një konsensus më të gjerë për funksionimin afatgjatë të institucioneve. Përndryshe, Kosova mund të përballet sërish me një krizë institucionale dhe me mundësinë e zgjedhjeve të reja”, shtoi Nimani.