Shoqëria civile kundërshton vendimin e Qeverisë për heqjen e sigurimit kufitar për diasporën
Shoqëria civile, përmes një reagimi, ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë për heqjen e primit të sigurimit kufitar, ose siç njihet “Kartoni i Gjelbër”, shërbim ky që planifikohet të mbulohet tërësisht nga Qeveria e Kosovës për të huajt që vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.
“Ne, organizatat e poshtëshënuara, fuqishëm e kundërshtojmë një vendim të tillë, duke e vlerësuar si të paarsyeshëm që buxheti i Kosovës, i mbushur me para të taksapaguesve të varfër, të shfrytëzohet për të mbuluar shpenzime private për automjete të personave privatë. Ia kujtojmë Qeverisë që ky vendim është tendencë e qartë për keqpërdorim të parasë publike përmes financimit nga buxheti i Republikës, buxhet i cili në asnjë rrethanë nuk i dedikohet subvencionimit të shërbimeve të shtrenjta të sigurimit të autopërgjegjësisë që rezulton nga veprimi privat i ngasësve të tyre. Për më tepër, buxheti është rrjedhojë e një kontributi të një shumice të varfër të qytetarëve, e i cili reflekton detyrimin për shpenzimin maksimalisht racional dhe vetëm për objektiva që janë të domosdoshme e që kanë për qëllim një interes publik të Republikës. Prandaj, ne vlerësojmë që ky shpenzim në këtë formë është plotësisht i pajustifikueshëm, e promovon një model të pabarazisë sociale, ku shteti ndërhyn për të subvencionuar pronarin e automjetit që në parim është një individ me status relativisht solid pasuror dhe mundëson një sjellje të Qeverisë që përmes klientelizimit të të subvencionuarit t’i përfitojë atij mbështetjen politike”, thuhet në reagimin e Shoqërisë civile, raporton Zeri.info.
Sipas tyre, “Vendimi si i tillë promovon një model jo të mirë të politikëbërjes, pasi hap horizonte për vendime të ngjashme të kësaj natyre në të ardhmen edhe nga qeveri pasardhëse. Vendime të tilla janë në kundërshtim me modele zhvillimore ekonomike, duke marrë parasysh që përfitues janë kategori siç janë personat privatë dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), e cila ka një histori të gjatë të lidhjeve korruptive me familjarë të ish-pushtetarëve të kaluar. Në vend të kësaj, Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Byrosë Kosovare të Sigurimit, duhet të bëjë përpjekje konkrete që ta fusë Kosovën në Kartonin e Gjelbër, e jo të ndërmarrë veprime që shkaktojnë shpenzime luksi në kurriz të qytetarëve të varfër të Republikës sonë”.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet, Çohu, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Lëvizja Fol, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Rron Gjinovci në këtë reagim thonë se këtë vendim të Qeverisë e shohin si të pamatur dhe palogjikshëm në kontekstin social e politik në të cilin gjendet vendi.
“Prandaj, ne e shohim këtë vendim të Qeverisë si të pamatur dhe të palogjikshëm në kontekstin social e politik në të cilin gjendemi. Pavarësisht fuqisë së madhe politike që i lejon për të marrë vendime të tilla, Qeveria duhet të tregohet e matur dhe serioze, duke i shmangur vendimet populiste dhe të ngutshme që e fusin shtetin e Kosovës në obligime, që në këtë periudhë nuk do të duhej të ishin parësore, duke e marrë parasysh mirëqenien e ulët ekonomike në vend”, përfundohet në njoftim. /Zëri