Serbia “i fal” të gjitha autokracitë që nuk e njohin Kosovën

Serbia “i fal” të gjitha autokracitë që nuk e njohin Kosovën

Aktuale July 29, 2021 - 15:59

Kosova, pavarësia e së cilës nuk njihet nga Beogradi zyrtar, shërben si një prej lidhjeve kryesore të Serbisë me shumë regjime jodemokratike në të gjithë botën. Shumë prej tyre – sikurse Bjellorusia, Kina, Azerbajxhani ose Irani – sipas raporteve përkatëse ndërkombëtare, janë ato që shkelin të drejtat e njeriut, ngufasin liritë e mediave dhe zbatojnë represion ndaj atyre që kanë mendim ndryshe.

Në këmbim të mbështetjes ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, Serbia qëndron anash kur vendet perëndimore u përgjigjen veprimeve të regjimeve jodemokratike me deklarata, rezoluta dhe sanksione.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara (OKB), 92 shtete e njohin Kosovën, 96 nuk e njohin dhe pesë shtete janë në një “pozicion fluid”, gjë që, siç shpjegojnë, do të thotë se ato shtete “kryesisht e njohin por nuk votojnë më për Kosovën”.

Këto të dhëna janë kontestuar nga Kosova dhe numri i shteteve që e kanë njohur dhe atyre që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, është edhe një çështje më shumë, rreth të cilës të dyja vendet nuk pajtohen.

Rasti i Kubës

Në një takim me ambasadorin e Kubës, Gustavo Trista del Tod, më 28 korrik në Beograd, ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin falënderoi Kubën për mbështetjen e saj për Serbinë "lidhur me ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të saj territorial" dhe qëndrimin e saj të vendosur për të mos njohur pavarësinë e Kosovës.

Sipas një deklarate nga Ministria e Brendshme e Serbisë, Vulin e falënderoi ambasadorin kuban edhe për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Gjithashtu, Vulin theksoi se Serbia "e mbështet të drejtën e Kubës për të marrë vendime në mënyrë të pavarur dhe për të rregulluar politikën e saj pa ndërhyrjen e të tjerëve në punët e saj të brendshme".

Deklarata i referohet protestave aktuale antiqeveritare që shpërthyen në Kubë, në korrik, për shkak të mungesës së ushqimit dhe ilaçeve, rritjes së çmimeve dhe menaxhimit të vendit gjatë pandemisë prej COVID-19.

Qindra njerëz janë arrestuar në të gjithë vendin që nga fillimi i trazirave dhe autoritetet e atjeshme gjithashtu kanë raportuar si pasoja edhe raste vdekjesh.

Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel i quajti protestuesit “kundërrevolucionarë” dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij që t’i kundërshtojnë protestuesit.

Qeveria e tij fajëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sanksionet e saj ekonomike për protestat në Kubë dhe për probleme në përgjithësi.

Me rastin e këtyre ngjarjeve, presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se “Shtetet e Bashkuara mbështesin popullin e Kubës në kërkim të lirisë së tyre”.

Më 22 korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarit të lartë kuban të sigurisë dhe të njësisë së forcave speciale të Ministrisë së Brendshme, për shkak të, siç thuhet, shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë shtypjes së protestave anti-qeveritare.

Pas vendosjes së sanksioneve, Biden tha se ky ishte hapi i parë i përgjigjes amerikane.

Shtetet e Bashkuara dhe 20 vende të tjera, nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 25 korrik, duke dënuar burgosjet dhe arrestimet masive të protestuesve në Kubë, si dhe i bënë thirrje qeverisë së atjeshme, të respektojë të drejtat dhe liritë universale të popullit kuban, përfshirë qarkullimin e lirë të informacionit për të gjithë kubanët.

Deklarata u nënshkrua, ndër të tjera, nga përfaqësues të Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Polonisë, Ukrainës, Greqisë, Austrisë dhe Brazilit. Serbia nuk është në atë listë.

Bashkëpunim i intensifikuar me Iranin

Zyrtarët serbë dhe iranianë kanë intensifikuar takimet vitet e fundit, duke shprehur gatishmërinë për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve. Kjo u tha sërish nga kryetari i Kuvendit të Sebisë, Ivica Daçiq, në takimin me ambasadorin iranian Rashid Hassan Pouri, në Beograd, më 26 qershor.

Me atë rast, Daçiqi paralajmëroi se si i dërguar i presidentit të Serbisë, do të merrte pjesë në përurimin e presidentit të sapozgjedhur të Iranit, Sejid Ebrahim Reisi Sadat.

Përgjat shtatë muajve të këtij viti, përveç kryetarit të Kuvendit të Serbisë, me ambasadorin e Iranit në Serbi janë takuar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviq, si dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

Në deklaratat që kanë lëshuar pas takimeve, ata kanë shprehur falënderimet e tyre ndaj Iranit për “qëndrimin parimor ndaj shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, si dhe “për mbështetjen në çështjet ndërkombëtare”.

Pas takimit më 18 prill, Selakoviq tha se “Irani e mbështet Serbinë në përpjekjet e saj për të ndaluar Prishtinën kur ajo interesohet të bëhet anëtare e disa organizatave ndërkombëtare”.

Irani, tash e disa vite, është përballur me kritika nga organizatat joqeveritare ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të njeriut kundër qytetarëve të vet.

Megjithatë, lidhur me këto, zyrtarët e Serbisë asnjëherë nuk kanë bërë publikisht kritika në adresë të Teheranit.

Mbështetja për Kinën

“Serbia ka një përvojë shumë pozitive në bashkëpunimin ekonomik me Kinën dhe synon t'i forcojë lidhjet politike, ekonomike dhe kulturore me atë vend”, ka thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq në fillim të korrikut, duke folur në një samit online, me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Kinës.

Vetëm disa ditë më parë, Vuçiç njoftoi se në një bisedë telefonike me presidentin e Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, mori premtimin se kreu i vendit më të populluar në botë, do ta vizitojë Serbinë, “ kah fundi i vitit ose në fillimi i vitit të ardhshëm”.

Në mars të këtij viti, ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Kinës, Wei Fenghe, vizitoi Serbinë, gjë që siç ka thënë Vuçiq, ishte një konfirmim tjetër i "miqësisë së çeliktë dhe partneritetit strategjik gjithëpërfshirës midis Serbisë dhe Kinës".

“Miqësinë e çeliktë”, Serbia e bazon në në projektet infrastrukturor, bashkëpunimin ushtarak dhe mjekësor, që u intensifikuan gjatë pandemisë së koronavirusit, por edhe në mbështetjen që Pekini i jep politikës së Beogradit zyrtar ndaj Kosovës.

"Kina është një nga mbështetësit tonë kryesorë në luftën për Kosovën”, ka thënë ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviq, më 21 maj, në bisedën me ambasadorin kinez në Serbi, Chen Bo.

Në këmbim, Serbia në institucionet ndërkombëtare qëndron pranë Kinës, të cilën fuqitë perëndimore e kritikojnë për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe shtypjen e pakicave.

Në korrik të vitit 2020, Serbia mbështeti deklaratën, e cila shkeljen e të drejtave njerëzore dhe të pakicave të ujgurëve në provincën kineze Xinjiang, e definonte si “luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”.

Nga gjithsej 46 nënshkrues, Serbia është i vetmi vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), por që e ka mbështetur politikat dhe lëvizjet e Kinës në Xinjiang.

Në krahinën autonome kineze Xinjiang, jetojnë rreth 25 milionë njerëz dhe më shumë se gjysma e tyre janë kryesisht të grupeve të pakicës etnike myslimane.

Grupi më i madh është populli turk Ujgurët, të cilët për nga pamja, gjuha dhe kultura janë më të afërt me popujt e Azisë Qendrore, se ma me kinezët Han, të cilët janë grupi etnik më dominues në Kinë.

Ujgurët, së bashku me pakicat e tjera myslimane, siç janë kazakët ose kirgizët, janë bërë cak i autoriteteve kineze për t’i dërguar në “kampe riedukimi”, sepse feja e tyre konsiderohet një kërcënim për shtetin kinez dhe komunizmin.

Kjo nuk është hera e parë që Serbia mbështet politikat dhe lëvizjet e Kinës, të cilat dënohen nga bashkësia ndërkombëtare.

Me rastin e miratimit të Ligjit Kinez të Sigurisë Kombëtare për Hong Kongun, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 qershor, i dërgoi një letër presidentit kinez Xi Jinping në të cilën, ai deklaroi se “Serbia e mbështet me vendosmëri sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë kombëtare të Kinës”.

Bëhet fjalë për ligjin, për të cilin vendet perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, paralajmërojnë se shkelë shkallën e lartë të autonomisë së Hong Kongut, e cila iu garantua qytetit kur kaloi nën administrimin kinez, më 1 korrik 1997.

Mbështetjen për politikën e jashtme kineze, zyrtarët e Serbisë e kanë shprehur edhe në shtator të vitit 2020, kur drejtuan reagime të ashpra ndaj gazetës “Danas” në Beograd, e cila publikoi një tekst autorial të ministrit të Punëve të Jashtme të Tajvanit, Joseph Wu.

Në tekstin e titulluar “Tajvani mund të ndihmojë botën që të shërohet nga virusi”, Joseph Wu shkruan për pamundësitë e Tajvani, që në kohë krize "të marrë pjesë dhe të shkëmbejë përvojat brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara”, për shkak të kundërshtimit të Kinës, e cila, si shumica e shteteve anëtare të OKB -së, Tajvanin e konsideron si një nga provincat e Kinës.

Në deklaratën e saj, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, vlerësoi se “publikimi i teksteve të tilla dëmton reputacionin dhe pozicionin e politikës së jashtme të Republikës së Serbisë”.

Statusi i Tajvanit paraqet “vijën e kuqe” për Pekinin sepse, ashtu sikurse edhe Hong Kongun, e konsideron atë “çështje të brendshme” të saj.

Kina dhe Tajvani kanë qeveri të ndara që nga përfundimi i luftës civile më 1949, por Pekini është përpjekur prej kohësh që t’i kufizojë Tajvanit aktivitetet ndërkombëtare.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU