Vitia apel qytetarëve: Vaksinohuni, arma e vetme kundër COVID-19 është vaksinimi

Vitia apel qytetarëve: Vaksinohuni, arma e vetme kundër COVID-19 është vaksinimi

Aktuale July 30, 2021 - 13:20

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka paralajmëruar rrezikun e përhapjes së COVID-19 dhe variantit të ri “Delta” në Kosovë.

Në një konferencë për media, Vitia ka theksuar se arma e vetme kundër COVID-19 është vaksinimi.

Ai ka thënë se qytetarët duhet t’i marrin dy dozat e vaksinës.

“Sot, kur vendi ynë ka vaksina kundër COVID-19 për secilin qytetar. Sot, kur qytetarët kanë mundësitë të zgjedhin edhe cilën vaksinë ta marrin, nuk ka asnjë arsye të vetme për të mos u vaksinuar. Jemi shumë larg përfundimit të pandemisë dhe këtë duhet kuptuar të gjithë. Hezitimet për t’u vaksinuar vetëm mund dhe do ta përkeqësojnë situatën. Qytetarët e vendit tonë duhet të vaksinohen dhe atë me dy dozat e vaksinës. Jemi ende në fillim të rrugës së gjatë për të arritur synimin tonë për vaksinimin të 60% të popullatës”, ka thënë Vitia.

Vitia ka thënë se vetëm vaksinimi i plotë dhe zbatimi i masave të tjera në fuqi mbrojnë qytetarët nga përhapja e virusit në ato nivele që të mos e kufizojnë shëndetin dhe veprimtaritë e tjera.

Në fund të konferencës Vitia ftoi të gjithë qytetarët që të vaksinohen sa më shpejt.

“Përhapja e shpejtë e variantit ‘Delta’ është kërcënim serioz”, u shpreh Vitia. /Zëri