Ambasadori Qemal Minxhozi shpallet “Qytetar Nderi” i Rahovecit

Ambasadori Qemal Minxhozi shpallet “Qytetar Nderi” i Rahovecit

Aktuale July 30, 2021 - 14:51

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, është shpallur "Qytetar Nderi" i Rahovecit.

Kryetari i kësaj Komune, Smajl Latifi, në një postim në Facebook ka shkruar për punën e ambasadorit Minxhozi.

Lexoni të plotë postimin e Latifit:

AMBASADORI QEMAL MINXHOZI – NDERI I RAHOVECIT DHE I SHQIPTARISË

Dikur idealistët – atdhetarët këndej e andej Drinit, ëndërronin që djemtë dhe vajzat e Kosovës të emëroheshin konsuj e ambasadorë të Republikës së Shqipërisë dhe të përfaqësonin sa më mirë interesat e kombit tonë nëpër botë.

Shumica prej nesh nuk donim ta mendonim se do të vijë dita kur diplomatët shqiptarë do të përfaqësojnë Shqipërinë në një vend shqiptar. Ky është fati ynë historik, por nuk do të thotë se duhet të pajtohemi e të presim që të tjerët të na e përcaktojnë fatin tonë. Të shpërndarë në gjashtë shtete të Gadishullit Ilirik, tashmë shqiptarët kanë nisur ta marrin vetë fatin e tyre në duar ose të bëhen popull shtetformues.

Këto copëza Shqipërie të shpërndara në sisteme të ndryshme politike e kanë një mundësi unike për të bërë një politikë të përbashkët ekonomike, kulturore, arsimore, sportive, rinore, duke shkëmbyer përvoja, dije e aftësi individuale apo grupore.

Të nderuar të pranishëm, miq e bashkëpunëtorë, një shembull konkret i krejt kësaj hyrjeje është ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Kosovës, shkëlqesia e tij Qemal Minxhozi.

Gjatë viteve të tij të shërbimit diplomatik në Kosovë, ky burrështetas e atdhetar i përkushtuar i ra kryq e tërthor Kosovës. Takoi shumë njerëz të të gjitha shtresave e grupeve shoqërore; takoi bujq e blegtorë, takoi afaristë e punëtorë, nxënës e studentë,  gra e burra të vyeshëm të këtij vendi.

Por, erdhi në Rahovec dhe me sa duket aty ndaloi për të marrë pak frymë. Takoi gra të veja që i kishin përveshur mëngët për të shëruar plagët e shpirtit dhe që punonin për të plotësuar boshllëkun që kishin lënë forcat serbe, duke vrarë e zhdukur burra e djem të rinj. I frymëzuar nga këto gra të vyeshme e ambicioze dhe nga të rinj e të reja që e donin jetën, por që fatin dëshironin ta ndërtonin mbi forcat e veta.

Ambasadori Qemal Minxhozi e kuptoi se këtyre njerëzve u duhej ndihmë dhe mbështetje konkrete, prandaj nuk hezitoi që të vihet në veprim. Angazhimi i tij prodhoi situata konkrete dhe gjendja e këtyre grave e të rinjve ndryshoi për mirë.

Tashmë në Krushë të Madhe kemi një fabrikë  moderne për përpunimin e perimeve, ku drejtojnë e punojnë gratë e kësaj ane. Në këtë mënyrë ato, jo vetëm që krijojnë të ardhura për familjet e tyre, mirëpo i sjellin dobi edhe ekonomisë të Kosovës. Eksporti i prodhimeve cilësore të Krushës së Madhe përbën një ndër tregimet më të suksesshme të kohëve të fundit.