Situatë kritike me zjarret në Suharekë, digjen disa shtëpi

Situatë kritike me zjarret në Suharekë, digjen disa shtëpi

Aktuale August 05, 2021 - 17:47

Situata me zjarret në komunën e Suharekës vazhdon të mbetet kritike.

Kështu ka bërë të ditur sot kryetari i komunës, Bali Muharremaj, i cili ka thënë se në disa fshatra janë djegur disa shtëpi, transmeton Zeri.info.

“Situata ende vazhdon të mbetet kritike nga zjarret. Edhe pse sot në mesditë nuk kemi pasur raste të zjarreve, era e fortë ka shkaktuar përplasje të telave të rrymës dhe si rezultat i kësaj situate janë djegur disa shtëpi, si në Mushtisht Sallagrazhdë, Gjinoc, e në shumë pjesë tjera. Të gjitha ekipet janë në teren me të gjitha kapacitet vepruese”, ka shkruar Muharremaj në rrjetet sociale.

Ai ka ftuar për mobilizim pasi temperaturat e larta po shkaktojnë zjarre.

“Duhet të jemi në mobilizim e sipër, ngase temperatura e lartë po shkakton zjarre në disa dimensione, mirëpo unë shpresoj dhe besoj që edhe në fshatra po mobilizoheni në grupe vullnetare që të mbetemi vigjilent përballë kësaj situate”, ka shkruar i pari i Suharekës.

Kujtojmë se Ministria e Punëve të Brendshme, ka bërë të ditur sot se për shtatë ditë në Kosovë janë paraqitur mbi 400 vatra zjarri, ndërsa situata është cilësuar nën kontroll. /Zëri