E djathta serbe paralajmëron tubim ndërkombëtar në veri të Kosovës

E djathta serbe paralajmëron tubim ndërkombëtar në veri të Kosovës

Aktuale October 20, 2021 - 11:09

Organizata ndërkombëtare Aleanca për Paqe dhe Liri (The Alliance for Peace and Freedom – APF), e cila mbledh të djathtët ekstremë, po planifikon një tubim në veri të Kosovës, u konfirmua për Radion Evropa e Lirë.

Siç ka thënë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë udhëheqësi i lëvizjes me orientim të djathtë “E djathta serbe nga Serbia”, Misha Vaçiq, qëllimi i tubimit do të jetë ofrimi i mbështetjes ndërkombëtare për serbët në Kosovë.

“Që ta shohin (serbët) se nuk janë vetëm vëllezërit tanë tradicional – të tipit rusët dhe grekët – por, që ekzistojnë në të gjithë popujt e Evropës njerëz që kanë qëndrim politike se Kosova është Serbi”, tha Vaçiqi në një deklaratë përmes telefonit.

Aleanca për Paqe dhe Liri (APF) bashkon partitë dhe lëvizjet politike të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën. Anëtarë të Aleancës, ndër të tjerë, janë edhe Partia Forza Nuova nga Italia, Fronti Kombëtar Francez, ndërkaq që bashkëpunon edhe me organizatën greke të ndaluar neo-naziste, Agimi i Artë.

Aleanca, më 26 shtator mbajti konferencën “Kombet e Evropës”, në Hotel Moska në Beograd , në të cilën, sipas një raporti nga faqja e internetit e kësaj organizate, u dëgjuan mesazhe që mohonin pandeminë, por edhe pavarësinë e Kosovës.

Nikoqir i tubimit ishte Misha Vaçiq, i cili më parë ka qenë udhëheqës i lëvizjes së krahut të djathtë Nashi 1389 (Tanët 1389), ndërkaq që në vitin 2017 ai e themeloi lëvizjen E djathta Serbe.

Kjo lëvizje, siç thuhet në faqen e saj të internetit, promovon tradicionalizmin, atdhedashurinë, shoqërinë e shëndoshë dhe integrimet euro-aziatike.

Në faqen e internetit të kësaj lëvizjeje gjithashtu përmendet angazhimi për të hyrë në një aleancë ushtarake me forcat e Lindjes, si dhe mohon pavarësinë e Kosovës.

Në tubimin e 26 shtatorit, i cili nuk tërhoqi shumë vëmendjen e mediave, u përmend edhe mundësia që tubimi tjetër të mbahej në veri të Kosovës, ku në shumicë jeton popullata me kombësi serbe.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Vaçiqi konfirmoi se planifikon që në mes të nëntorit të organizojë në Kosovë një tubim të partive politike të krahut të djathtë, të mbledhura rreth Aleancës për Paqe dhe Liri.

“Ende nuk janë të njohura detajet se ku saktësisht do të mbahet mbledhja, sidomos për shkak të situatës së sigurisë. Nuk është e sigurt nëse ky do të jetë një samit i formatit që u mbajt në Beograd. Plani im është që t’i sjell të gjithë ata politikanë evropianë dhe t’i vizitojnë serbët në barrikada. Por, pasi që barrikada nuk ka, plani është ende duke u pritur”, ka thënë Vaçiqi.

Siç tha ai, formati i tubimit do të vendoset në përputhje me situatën në terren.

“Çështja është t'i japim popullit serb (në Kosovë) mbështetjen e patriotëve ndërkombëtarë”, u shpreh Vaçiqi.

Ai nuk pret që për shkak të autoriteteve të Kosovës të ketë ndonjë problem me rastin e organizimit të tubimit të tillë.

I pyetur nëse mendon se do të ketë probleme me autoritetet e Kosovës kur ai të hyjë në vend, Vaçiqi konsideron që vetëm ai personalisht mund të ketë probleme.

“Mund të jetë problem vetëm për mua, sepse kam pasur një ndalim të hyrjes që kur kam qenë këshilltar për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Por, unë nuk e respektoj atë ndalim, sepse nuk i pranoj vendimet e institucioneve të përkohshme, që për mua janë institucione terroriste dhe jo organe e autoritete”, tha Vaçiqi.

Ai thekson që nuk pret që të ketë probleme kushdo nga delegatët e huaj gjatë hyrjes në Kosovë.

“Kohë më parë ka qenë në vizitë një ekip i Forza Nuove-s, pasi që Italia është vend që e njeh Kosovën. Mund të ketë probleme me delegatët rusë dhe delegatët nga vendet që nuk e kanë njohur shtetin e rrejshëm të Kosovës”, theksoi Vaçiqi.

Ai shtoi se anëtarët e Forza Nuove-s kanë shkuar në Kosovë që të dorëzojnë ndihmat “me ushqime dhe para, për serbët më të rrezikuar”, por ai nuk deshi që të japë detaje të tjera lidhur me këtë vizitë.

“I kemi dërguar në veri dhe kanë hyrë pa asnjë problem. Njerëzit tanë është dashur të kenë testet PCR-së (për koronavirus), në mënyrë që të mund të hynin”, tha Vaçiqi.

Serbia si eksportuese dhe importuese e së djathtës

Tubimi ndërkombëtar i të djathtëve në veri të Kosovës mund të provokojë tensione shtesë, në dritën e ngjarjeve aktuale në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë, Predrag Petroviq, hulumtues në Qendrën për Politikat e Sigurisë në Beograd.

“Në një perspektivë ky është një kërcënim serioz (për sigurinë) sepse bashkimi, zgjerimi i së djathtës në nivel evropian, mund të kontribuojë në rritjen më të madhe të ekstremizmit në skenën politike dhe polarizimin e forcave politike në Evropë”, tha Petroviqi.

Sipas tij, një nga qëllimet kryesore të së djathtës, si vendase ashtu edhe evropiane, është vendosja e identitetit të kombit në qendër të politikës.

“E djathta serbe, por unë do të thosha edhe pushteti nga Beogradi, i cili qëndron prapa të djathtës serbe, dëshiron të dërgojë porosi që çështja e Kosovës nuk është vetëm çështje e Kinës dhe Rusisë, të cilat rrinë prapa qëndrimit të Beogradit, por që bëhet fjalë për një çështje më të gjerë – për mbrojtjen e identitetit dhe të Serbisë, por edhe Evropës më gjerë”, theksoi Petroviqi.

Kina dhe Rusia, të cilat janë ndër pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, ndërkaq që nga gjithsej 27 anëtarë të BE -së, 22 prej tyre e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Petroviq thekson se Serbia, nga njëra anë është eksportuese e të djathtëve në rajon, por nga ana tjetër, ajo edhe importon të djathtët, në mënyrë që të tregojë se është pjesë e një “rrëfimi më të madh të identitetit”.

“Për Beogradin zyrtar dhe për të djathtën serbe është shumë e rëndësishme që të lidhet me të djathtën euro-perëndimore, që të dëshmojë se ajo për të cilën po lufton e djathta ekstreme në Serbi, nuk është vetëm çështje e Rusisë dhe se Serbia nuk është ‘Rusia e vogël në Ballkan’, por se ajo në të vërtetë është në mbrojtje të Evropës nga pushtimi mysliman në Evropë”, u shpreh Petroviq për Radion Evropa e Lirë.

Se cila do të jetë përgjigja e autoriteteve të Kosovës ndaj tubimit të të djathtëve, sipas Petroviqit, është vështirë që të parashihet.

“Por, përgjigjja e tyre me siguri që do të orientohet në kuptimin të asaj që të tregojnë që politika e Serbisë është anakronike dhe se e gjithë kjo që po ndodh ka ndërlidhje me politikën e Sllobodan Millosheviqit (ish-president i Republikës Federale të Jugosllavisë) të viteve 90, dhe se është vazhdim i një politike nacionaliste që pësoi humbje”, përfundon Petroviq.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës me pyetjet se a kanë autoritetet e Kosovës informata për tubimin e paralajmëruar dhe cili është qëndrimi i tyre lidhur me këtë çështje. Por, deri në publikimin e këtij teksti, kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

Ibishi: Qëllimet e së djathtës serbe, të njëjta me të Beogradit zyrtar

Paralajmërimin e një tubimi në veri të Kosovës të përfaqësuesve të ekstremit të djathtë në kuadër të Aleancës për Paqen dhe Lirinë, njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk e sheh si të shkëputur nga politikat aktuale të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës.

Të plotë mund ta lexoni KËTU