Ljiljana Stevanoviq zgjidhet kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë

Ljiljana Stevanoviq zgjidhet kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë

Aktuale November 01, 2021 - 11:54

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka zgjedhur gjyqtaren Ljiljana Stevanoviq në pozitën e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Stevanoviqi ishte kandidatja e vetme për ta fituar këtë pozitë dhe mori votat e nëntë anëtarëve të KGJK-së, ndërsa gjyqtarja Radojka Trifunoviq nuk mori pjesë fare në votim, për shkak se ishte e kyçur përmes platformës online “Zoom”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i komisionit vlerësues për këtë pozitë, gjyqtari Qerim Ademaj, para anëtarëve të KGJK-së tha se komisioni ka bërë intervistimin e kandidates dhe ka vlerësuar koncept-dokumentin ku është parë vizioni i Stevanoviqit për të menaxhuar me Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe kanë arritur në përfundimin se e njëjta i plotëson të gjitha kriteret që të jetë pjesë e procesit të votimit nga ana e anëtarëve të KGJK-së.

Ademaj shtoi se Stevanoviqi ka përvojë të gjatë menaxheriale brenda sistemit gjyqësor, duke përfshirë atë të gjyqtares mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore në Mitrovicë - Dega në Zubin Potok, të cilën pozitë e ka mbajtur deri më tani.

Gjyqtarja Ljiljana Stevanoviq do të ketë mandat pesëvjeçar.

Ndryshe, pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë deri më tani e ka mbajtur gjyqtari Nikola Kabashiq.