Bugaqku: Kushtetuesja ka afat deri në 60 ditë për lëndën e PDK-së
Foto: Laura Hasani

Bugaqku: Kushtetuesja ka afat deri në 60 ditë për lëndën e PDK-së

Aktuale September 14, 2026 - 13:11

Pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesit të konstituimit të Kuvendit dhe kërkesës për masë të përkohshme, Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka afat deri në 60 ditë për të marrë vendim lidhur me një kërkesë të tillë.

Bugaqku ka sqaruar se afati prej 60 ditësh llogaritet nga momenti i parashtrimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa sa i përket masës së përkohshme, vendimi varet nga vlerësimi i gjykatës për rrethanat dhe pasojat që mund të shkaktohen.

“Kur kërkesat parashtrohen në përputhje me paragrafin 5 të Nenit 113, siç ishte sot që u parashtrua, ku deputetët e deponojnë një çështje në Gjykatë duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së ndjekur dhe përmbajtjes së vendimit, Gjykata Kushtetuese ka afat deri në 60 ditë me dhënë vendimin në fjalë. Pra, afati maksimal është afati prej 60 ditësh nga momenti i parashtrimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Sa i përket kërkesës për masë të përkohshme, Bugaqku ka sqaruar se kjo çështje vlerësohet nga kolegji i Gjykatës Kushtetuese, duke u bazuar në rrethanat, faktet dhe pasojat e mundshme.

“Sa i përket çështjes së masës së përkohshme, ajo është një çështje që vlerësohet nga kolegji i Gjykatës Kushtetuese. Varësisht nga rrethanat, varësisht nga faktet, varësisht nga vlerësimi i dëmeve ose i pasojave që mund të shkaktohen në rast se nuk vendoset masa e përkohshme. Sepse ata e vlerësojnë çështjen në dy anë: ka apo jo nevojë të vendoset masa e përkohshme, apo vendosja e masës së përkohshme është e domosdoshme për të parandaluar dëmet e pariparueshme që mund të shkaktohen në rast se Kuvendi vazhdon të funksionojë edhe këtë javë apo edhe më tutje, po të themi ashtu. Sepse duhet kalkuluar që Kuvendi është funksional derisa të vendosë ndryshe Gjykata Kushtetuese. Pra, edhe vendimet e djeshme janë kushtetuese, ose konsiderohen si të tilla, deri në një vendim kur e vendos ndryshe Gjykata. Pra, nëse vendos me i anulu ato lloj vendimesh. Prandaj edhe çështja e masës së përkohshme vlerësohet në kuptimin e asaj nëse dëmi është i pariparueshëm dhe nëse ka rrezikshmëri të lartë të atillë që efektet që mund të prodhohen janë të dëmshme për interesin e Republikës së Kosovës, ose edhe, të themi ashtu, për cenimin e rendit kushtetues, ose edhe për shkaktimin e ndonjë pasoje e cila nuk mund të riparohet më në kuptimin e asaj që mund të shkaktojë vendimmarrje të atilla që e dëmtojnë edhe interesin publik, por edhe interesin institucional të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Bugaqku ka thënë se nuk dëshiron të paragjykojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ka theksuar se KDI-ja ka kërkuar që të sqarohet nëse tejkalimi i afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit prodhon pasoja për legjitimitetin e mandateve dhe ligjshmërinë e legjislaturës.

“E para, unë nuk dua të paragjykoj vendimin që mund të prodhojë Gjykata Kushtetuese. Por si organizatë, ju e dini që kemi bërë së fundi dy reagime publike, ku kemi theksuar faktin që edhe pse Kuvendi, të themi ashtu, ka shkelur afatin kushtetues, ose deputetët e Kuvendit nuk e kanë zbatuar gjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e kanë shkelur afatin kushtetues të konstituimit të Parlamentit të Kosovës brenda atij tridhjetëditëshi. Megjithatë, çdo veprim që ndodh në Kuvendin e Kosovës, qoftë për konstituimin e Kuvendit, qoftë për zgjedhjen e Qeverisë apo zgjedhjen e Presidentit, ose dhe vendime të tjera që mund t’i prodhojë ky parlament i konsideruar si i konstituuar pas afatit tridhjetëditor, nevojitet të kemi qartësi kushtetuese. Dhe kjo qartësi është e domosdoshme, dhe për këtë arsye ne kemi kërkuar dhe u kemi bërë thirrje deputetëve, së paku dhjetë prej sosh, kusht ky që vlerësohet, që ta dërgojnë çështjen në Gjykatë Kushtetuese për të marrë sqarimin e asaj që shkelja e afatit tridhjetëditor, definitivisht ka apo jo pasojë për këta deputetë, ka apo jo pasojë për mandatin, legjitimitetin e mandateve, për ligjshmërinë ose të themi ashtu, të komplet legjislaturës së Kuvendit të Kosovës”, tha ai për Ekonominë Online.

Duke folur për situatën e krijuar pas konstituimit të Kuvendit pa zgjedhjen e nënkryetarit që i takon grupit të dytë parlamentar me më së shumti ulëse, Bugaqku ka thënë se edhe kjo çështje mund të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

“Dhe po ashtu, tanimë dallojnë këto veprime, të themi ashtu, nga dje kur u konsiderua si i konstituuar Parlamenti i Republikës së Kosovës dhe tashmë e kemi një situatë të re, sepse është konsideruar i konstituuar Kuvendi pa e zgjedhur një nënkryetar, i cili i takon këtij grupi të dytë parlamentar. Ose të grupit të dytë që ka më së shumti ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe edhe kjo është çështje kushtetuese pastaj, po, çështje e interpretimit kushtetues që mund ta vendosë Gjykata, dhe unë besoj që ka hapësirë të mjaftueshme për të dhënë sqarime dhe për të vlerësuar kushtetutshmërinë e krejt procesit, edhe të konstituimit të Parlamentit, por edhe të vendimit të Kuvendit për ta zgjedhur edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka kërkuar të hënën Gjykatës Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme ndaj Kuvendit të ri derisa ajo të shqyrtojë nëse konstituimi i tij u bë në përputhje me Kushtetutën.

Kuvendi i Kosovës u konstituua të dielën pa zgjedhjen e nënkryetarit të dytë, i cili i takon PDK-së, pasi kjo e fundit nuk mori pjesë në seancë duke e akuzuar pushtetin për shkelje të procesit.

Dy deputetë të kësaj partie, Arian Tahiri, Përparim Gruda, së bashku me avokatin Faton Fetahu, e dërguan ankesën në emër të partisë të hënën në mëngjes.

Duke folur për media pas dorëzimit të ankesës, Tahiri tha se “është e rëndësishme që të vendoset masë e përkohshme fillimisht, në mënyrë që të mos shkaktohen dëme e situata ma të rënda në kuptim juridik dhe institucional”.

Ata thanë se u ankuan për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, duke thënë se pushteti shkeli Kushtetutën duke shpërfillur afatet kushtetuese për procesin e konstituimit të organit ligjvënës.

Sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet e shkeli afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit dhe procedurën për thirrjen e seancës çdo 48 orë deri në konstituimin e tij.

Sipas një aktgjykimi të vitit të kaluar të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Ky afat përfundoi më 7 gusht 2026.

Pak orë pas konstituimit, Kuvendi i ri e zgjodhi edhe Qeverinë e re, në një seancë të braktisur nga PDK, Aleanca dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Gruda theksoi se PDK-ja do të ankohet në Kushtetuese të martën për mënyrën e formimit të qeverisë së re.

“Nuk mund të vazhdojmë të lejojmë që Kuvendi t’i zgjedhë organet qendrore të vendit duke pasur dilema kaq të mëdha kushtetuese”, shtoi ai. /EO