Osmani: Bashkim Jashari i shërbeu atdheut kur rrezikohej, tash i shërben shtetit në krye të ushtrisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka thënë se ishte nder i veçantë ta emëroj në detyrën e Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jasharin.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se Bashkim Jashari i shërbeu atdheut kur ishte rreziku më i lartë, tani do i shërbej duke e udhëhequr.
“Bashkim Jashari i shërbeu atdheut atëherë kur populli ynë rrezikohej të shuhej nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit. Edhe tash e tutje do t’i shërbej shtetit të tij duke e udhëhequr ushtrinë e ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë të brezave të tërë. Prandaj ishte nder i veçantë që sot ta emëroj në detyrën e Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Osmani.
Po ashtu, shefja e shtetit theksoi se Gjeneralmajor Jashari do ta ketë mbështetjen e saj të plotë.
“Gjeneralmajor Jashari do ta ketë mbështetjen time të plotë si Komandante Supreme në ngritjen e FSK-së në piedestale edhe më të larta. Në këtë detyrë të shenjtë gjeneralmajor Jasharit i uroj suksese, ndërkaq gjenerallejtënant Ramën e falënderoj për shërbimin e deritashëm!”, tha Osmani. /Zëri