Paralelizmi lë pa ndihma studentët serbë në Kosovë

Paralelizmi lë pa ndihma studentët serbë në Kosovë

Aktuale May 16, 2022 - 19:29

Studenti Marko nga territori i Komunës së Graçanicës, afër Prishtinës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, nuk ka të drejtë të aplikojë për ndihmë financiare nga Qeveria e Kosovës.

Ai është absolvent në Fakultetin Juridik në Universitetin e Mitrovicës së Veriut. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ai thekson se edhe studentët serbë duhet të kenë të drejtë për të marrë ndihmën financiare, sepse janë qytetarë të Kosovës.

Sipas tij, vendimi i Qeverisë së Kosovës që vetëm studentët e fakulteteve të akredituara në Kosovë kanë të drejtë për këtë ndihmë, është “diskriminues”.

“Nëse flasim për njëfarë përfshirje të komunitetit serb në shoqërinë kosovare, kjo vetëm sa do t’i largojë të gjithë. Ne jemi ato forcat e reja dhe shtytëse që duhet të fillojmë procesin e pajtimit, ndërkaq veprimet e tilla të Qeverisë së Kosovës na kthejnë prapa”, thotë Marko, student.

“Thjesht, mendoj se ata e meritojnë atë (ndihmën), ata janë këtu në Kosovë, ata studiojnë në Kosovë dhe pastaj t’iu japësh 100 euro studentëve të një komuniteti, ndërkaq të tjerët t’i harrosh plotësisht, është një formë e dukshme diskriminimi. Për më shumë, nëse flasim për njëfarë përfshirje të komunitetit serb në shoqërinë kosovare, kjo vetëm sa do t’i largojë të gjithë. Ne jemi ato forcat e reja dhe shtytëse që duhet të fillojmë procesin e pajtimit, ndërkaq veprimet e tilla të Qeverisë së Kosovës na kthejnë prapa”, thotë Marko.

Mendimin e Markos e mbështetë Irena, studente në Fakultetin e Biologjisë në Mitrovicën e Veriut. Ajo thekson se ndihma financiare do të ishte e mirëseardhur për studentët në këtë kohë, por nuk habitet që Qeveria e Kosovës nuk ua ka mundësuar një gjë të tillë studentëve nga komuniteti serb.

“Më duhet të pranoj se veprimi i tillë i tyre ka qenë i pritshëm dhe ne nuk kemi shpresuar, gjë që është mirë”, konsideron Irena.

Pse nuk kanë të drejtë të gjithë për ndihmën e Qeverisë së Kosovës?

Studentët e komunitetit serb në Kosovë nuk kanë të drejtë të aplikojnë për ndihmë financiare nga Qeveria e Kosovës, sepse ata kryesisht studiojnë në fakultetet e Universitetit të Mitrovicës së Veriut, i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë.

Më 7 maj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Qeverisë së Kosovës njoftoi se të gjithë studentët aktivë dhe të rregullt, që studiojnë në një prej fakulteteve publike apo private të akredituar në Kosovë, kanë të drejtë që përmes aplikimit të veçantë të paraqiten për ndihmë në shumën prej 100 euro.

Megjithatë, Universiteti i Mitrovicës së Veriut nuk është i akredituar në Kosovë dhe për autoritetet e saj ky universitet është institucion i paligjshëm ose paralel.

Në anën tjetër, Ministria e Financave e Kosovës ka mundësuar që për ndihmën nga Qeveria e Kosovës të aplikojnë studentët e huaj, gjegjësisht të gjithë ata që studiojnë në njërin nga fakultetet e Kosovës, por që nuk janë shtetas të Kosovës.

“Duke pasur parasysh se Universiteti i Mitrovicës së Veriut nuk është i akredituar nga institucionet e Kosovës, studentët e regjistruar (në atë Universitet) nuk i plotësojnë kushtet për këtë lloj ndihme”, thuhet në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë nga Qeveria e Kosovës.

Ky universitet u zhvendos nga Prishtina në Mitrovicën e Veriut pas luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Fjala vjen, në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, të gjitha institucionet arsimore, duke përfshirë edhe ato parashkollore, funksionojnë sipas sistemit serb dhe nuk kanë asnjë kontakt me sistemin e Kosovës.

Vetëm studentët pa mbështetje

Përveç për studentët, Qeveria e Kosovës ka ndarë nga 100 euro për punëtorët në sektorin privat dhe publik, si dhe për pensionistët, ndërkaq përfituesit e asistencës sociale kanë marrë dyfishin e kompensimit në para, për muajin prill.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke paraqitur masat e ndihmës nga ana e Qeverisë së tij, në fund të prillit, tha se “të gjithë qytetarët do të përfitojnë”.

Pothuajse të gjithë pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë që përmbushin kushtet, marrin pensionet serbe dhe kosovare. Po ashtu, ka nga ata që e shfrytëzojnë asistencën sociale të paguar nga Kosova, por edhe ndihmën për të cilën Serbia ndan para.

Megjithatë, për këto kategori nuk ka pasur asnjë pengesë që për të marrë ndihmën prej 100 eurosh nga Qeveria e Kosovës, ndonëse sistemi i Kosovës dhe ai i Serbisë “nuk njihen”, gjegjësisht asnjëra palë nuk ka njohuri nëse dikush tashmë merr pension apo ndihmë sociale në sistemin tjetër.

Gjithashtu, shumica e zyrtarëve të Listës Serbe, partisë udhëheqëse të serbëve të Kosovës, kanë pozita të dyfishta, në sistemin kosovar dhe atë serb.

Në anën tjetër, studentët Marko dhe Irena theksojnë se bashkëkombësit e tyre nuk kanë mundësi të studiojnë sipas sistemit të Kosovës dhe nuk shohin asgjë kontestuese në faktin se të gjithë regjistrohen në fakultetet në Mitrovicën e Veriut.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU