SHBA-ja dërgon 300 ushtarë në Kosovë, “që pavarësia dhe sovraniteti të mbeten të forta”
Foto: Laura Hasani

SHBA-ja dërgon 300 ushtarë në Kosovë, “që pavarësia dhe sovraniteti të mbeten të forta”

Aktuale October 06, 2022 - 09:44

Rreth 300 anëtarë të Gardës Kombëtare të Indianës me ekipin luftarak të Brigadës së 76-të të Këmbësorisë të Divizionit të 38-të janë përshëndetur me familjet dhe miqtë gjatë një ceremonie të Kampit Atterbury më 30 shtator.

Ushtarët po dislokohen në Kosovë si pjesë e “Task Force Nighthawk”, ka njoftuar Garda Kombëtare e SHBA-së, transmeton Zeri.info.

Ata do të udhëhiqen nga koloneli Chris Mabis nën Komandën e majorit Joshua Brown.

"Ju ushtarë përfaqësoni më të mirën që Shtetet e Bashkuara kanë për të ofruar”, tha Mabis gjatë ceremonisë.

“Të gjithë ata që janë ulur këtu janë ambasador të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësues të shtetit Hoosier. Nuk mund të jem më krenar për këtë ekip”, shtoi ai.

Mabisi falënderoi gjithashtu familjet e ushtarëve për mbështetjen e tyre.

"Faleminderit që lejuat Ushtarin tuaj të jetë pjesë e kësaj përvoje. Ju jeni një pjesë jetike e Task Force Nighthawk dhe puna juaj është më e rëndësishmja. Mbështetuni te njëri-tjetri dhe ndihmoni njëri-tjetrin; kjo është fuqia e forcës sonë të bazuar në komunitet”, u tha Mabisi familjeve.

Ushtarët do të udhëheqin Komandën Rajonale - Lindje nën komandën e NATO-s në mbështetje të operacionit “Joint Guardian”.

“Ata do të jenë rotacioni i 31-të i forcave ushtarake amerikane me bazë në kampin Bondsteel në Kosovë. Misioni sipas Rezolutës 1244 të OKB-së është të sigurojë një mjedis të qetë, të sigurt dhe të sigurojë lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gardës, transmeton Zeri.info.

Gjeneralmajor Dale Lyles, gjenerali i Indianës, tha se dislokimi tregon vendosmërinë e Amerikës për të mbrojtur sovranitetin e kombeve të lira dhe demokratike si Kosova.

“Burrat dhe gratë e kësaj brigade do të punojnë për të siguruar që pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës do të mbeten të forta dhe se qëllimi ynë kolektiv për shtete të pavarura, multietnike në shoqëri që bashkëjetojnë në mënyrë paqësore në Ballkanin Perëndimor do të realizohet”, tha Lylesi.

Amerika nuk qëndron e vetme në Kosovë. Trupa nga Polonia, Letonia, Zvicra, Turqia, Sllovenia, Greqia, Hungaria dhe Italia shërbejnë në Komandën Rajonale - Lindje.

“Para se të vendoseshin, ushtarët e Nighthawkit u trajnuan për kualifikimin e armëve, trajnimin e armëve jovdekjeprurëse, operacionet e patrullimit dhe ndërveprimin me entitetet qeveritare dhe joqeveritare”, thuhet në fund të njoftimit. /Zëri

Image