Osmani: Mësimdhënësit të paguhen nëse kompensohet mësimi

Osmani: Mësimdhënësit të paguhen nëse kompensohet mësimi

Aktuale October 07, 2022 - 16:11

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konsideron se mësimdhënësit në Kosovë duhet të paguhen, nëse ka një premtim për kompensimin e planit mësimor të humbur gjatë grevës në muajin shtator.

Gjatë një interviste në Pragë për Radion Evropa e Lirë, presidentja e Kosovës përmendi edhe përfitimet e Kosovës nga Bashkësia Politike Evropiane, një platformë për koordinim politik e zyrtarizuar në Pragë më 6 tetor.

Osmani tregoi se pse ende nuk është duke u formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke shtuar se ajo e "mbështet çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës". Ndër tjerash ajo foli për dialogun me Serbinë.

Ndërkaq, sa i përket moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit, Osmani theksoi se ai vendim bazohet "në vendime diskriminuese të kohës së Millosheviqit" dhe shtoi se Kosova duhet të jetë "e kujdesshme për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë".

Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Osmani tha se është "optimiste e kujdesshme".

 Zonja presidente, ndodheni në Pragë, ku keni marrë pjesë në Samitin inaugurues të Bashkësisë Politike Evropiane, pjesë e së cilës është ftuar të bëhet edhe Kosova. Çfarë përfiton Kosova nga ky komunitet?

Vjosa Osmani: Kjo është një platformë e re e të gjitha shteteve të kontinentit evropian që ka për qëllim të nxisë edhe më shumë dialogun politik ndërmjet shteteve, të cilat marrin pjesë si të barabarta. Në njëfarë mënyre, të gjitha së bashku, pa marrë parasysh a janë shtete të mëdha apo të vogla, a janë anëtare të Bashkimit Evropian apo jo, e kanë një lloj pronësie mbi këtë iniciativë. Pra, është një përpjekje e përbashkët. Dhe, sipas vetë presidentit Macron, i cili është ideator i kësaj iniciative, kjo platformë është një diskutim, apo një dialog mes të barabartëve. Ky është shpjegimi më i mirë i asaj që synohet.Është një iniciativë e re, ku diskutohen sfida të përbashkëta, gjenden zgjidhje përpara, por edhe arrihet dakordim për veprimet, me të cilat ne do t’i zgjidhim ato sfida me të cilat ballafaqohemi si kontinent. Dje [6 tetor] ishte vetëm takimi i parë. Rrjedhimisht, diskutimet kanë qenë të fokusuara në pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë, pastaj [te] çështja e ekonomisë dhe energjisë, paqja dhe siguria në kontinentin evropian.

Secili shtet ka pasur mundësinë që të japë kontributin e vet, t’i paraqesë kërkesat e veta. Përveç platformës së përbashkët, ku të gjithë kemi diskutuar me njëri-tjetrin, ka qenë edhe një mundësi e shkëlqyeshme, sidomos për ne si Kosovë, që të takojmë shumicën dërrmuese të liderëve edhe në baza bilaterale, dhe të shtyjmë përpara çështje që janë në interes nacional të Kosovës, siç është çështja e liberalizimit të vizave, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare - sidomos tani në Këshillin e Evropës që është prioriteti i parë i Kosovës... sa u përket sfidave ose të ardhmes multilaterale, por edhe tema të tjera që janë të interesit dypalësh.

Pra, ishte një mundësi e shkëlqyeshme, ku Kosova është e barabartë edhe me 43 shtete të tjera pjesëmarrëse në këtë forum. Besoj që do të jetë një platformë e mirë, ku do të dëgjohet zëri ynë, ku do të mund t’i paraqesim shqetësimet tona, por edhe kontributin tonë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, e rrjedhimisht në gjithë kontinentin evropian.

 E përmendët liberalizimin e vizave. Në BE duket se tani ka një disponim pozitiv për ta çuar përpara këtë proces. A keni marrë garanci se nuk do të bllokohet?

Vjosa Osmani: Ashtu siç ju kam njoftuar edhe me datën 23 qershor, kur isha prezente në Samitin e Bashkimit Evropian, mendoj se kthesa ka qenë pikërisht në atë takim. Aty kam pasur mundësinë të diskutoj me shumicën dërrmuese të liderëve të Bashkimit Evropian, përfshirë ata që deri në ato momente ishin hezitues. Nuk ka pasur asnjë lider të vetëm që ka shprehur ndonjë shqetësim, apo qëndrim kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.Kjo, në masë të madhe, është edhe [për faktin] se është krijuar një momentum i ri në Evropë - ku BE-ja dëshiron t’i kryejë detyrat e veta, sa u përket shteteve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së dhe e sheh këtë edhe si interes strategjik të vetë saj - por, mbi të gjitha, për shkak të reformave që janë ndërmarrë në këtë një vit e gjysmë në fushën e sundimit të ligjit. Pra, të gjitha këto përmenden si argumente kryesore përse BE-ja dëshiron që të japë një sinjal pozitiv, një dritë të gjelbër në raport me Kosovën në veçanti, por edhe me rajonin në përgjithësi.

Edhe në takimet e djeshme që kisha - diku me mbi 25 liderë, shumë prej të cilëve janë edhe në BE dhe kanë rol determinues për çështjen e vizave - nga të gjithë kam marrë përkrahjen e plotë për çështjen e liberalizimit të vizave. Natyrisht, ka pasur shtete që e kanë pritur konfirmimin e ri nga ana e Komisionit Evropian. Ky komision e ka rikonfirmuar çështjen e përmbushjes së kritereve dje.Përveçse ka konfirmuar që kriteret janë përmbushur që nga viti 2018, ka treguar se çfarë reformash të rëndësishme janë ndërmarrë nga institucionet e Kosovës këtë një vit e gjysmë si një, do të thosha, shtysë pozitive për shtetet anëtare. Të gjithë me të cilët kam biseduar, që kanë pasur hezitime më herët, e kanë përmendur pikërisht çështjen e reformave këtë një vit e gjysmë si faktin që i ka bindur ata që tani ta përkrahin Kosovën.

 E di se janë disa hapa për t’u kryer [deri te hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave]. Ju, jeni optimiste se do të finalizohet gjatë Presidencës çeke [të BE-së]?

Vjosa Osmani: Jam optimiste e kujdesshme, sepse e dimë që nganjëherë burokratët brenda shteteve anëtare mund të gjejnë rrugë për të bllokuar procese, mirëpo unë e shoh vullnetin politik tani te liderët e BE-së që të mos bllokohet një gjë e tillë. Prandaj, optimizmi është aty, por duhet ta kuptojmë që procedurat pastaj mund të marrin pak kohë.

Është me rëndësi që takimi më 13 tetor të shkojë mirë dhe pastaj hapat tjerë, që nënkuptojnë edhe miratimin politik të vendimit të 13 tetorit - të grupit punues për vizat - të ndodhin sa më parë.Presidenca çeke është jashtëzakonisht përkrahëse. Kjo është shumë me rëndësi, që përveç institucioneve të BE-së, shteti që ka presidencën, të jetë një shtet që e shtyn përpara, me shumë zell, një temë të caktuar, që të bëhet pjesë e agjendës së vendimmarrjes. Këtë po e bën Presidenca çeke. Dua të falënderoj kryeministrin [çek Petr] Fiala dhe ministrin e Jashtëm, Jan Lipavsky, por edhe ministrat e tjerë që janë të angazhuar, zyrtarët e tjerë që janë të angazhuar. Kanë një përkrahje të jashtëzakonshme në raport me çështjen e liberalizimit të vizave.

 E përmendët që keni zhvilluar disa takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme evropiane, përfshirë takimin trepalësh me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Tashmë e keni bërë të ditur se temë e diskutimeve ka qenë edhe dialogu me Serbinë. A ka diçka konkrete që ju është kërkuar nga Scholz dhe Macron?

Vjosa Osmani: Natyrshëm që kjo është një prej temave që ne e diskutojmë me aleatët tanë, sepse përkrahja e Bashkimit Evropian në këtë proces ka qenë fundamentale, në mënyrë që të kemi sukses përgjatë rrugës sonë. Kërkesë themelore e presidentit Macron dhe e kancelarit Scholz është që ky proces të intensifikohet.Ne nuk jemi kundër intensifikimit të dialogut, për shkak se mendojmë se është jo vetëm në interes të Kosovës, por edhe gjithë rajonit dhe paqes e stabilitetit afatgjatë që dialogu me Serbinë të përmbyllet. Natyrisht, Serbia është e interesuar që ta zvarrisë këtë përgjithmonë dhe të mos ketë zgjidhje afatgjate që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon, sepse është shtet që ka qëllim destabilitetin. Ashtu edhe mbijeton, duke destabilizuar të tjerët, që është fat i keq për gjithë rajonin tonë.

Pra, angazhimi tejet i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë i presidentit Macron dhe kancelarit Scholz në nivele të tilla të larta është shumë i rëndësishëm dhe pozitiv për Republikën e Kosovës. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë të plotë që të angazhohemi me ta jo vetëm në baza mujore, por edhe në baza ditore në qoftë se është nevoja. Kemi shprehur, po ashtu, përkushtimin e plotë që Kosova të vazhdojë qasjen konstruktive dhe të ofrojë përpara zgjidhje që vetëm kontribuojnë për paqe e stabilitet.