Mushkolaj: Kritikat e Kurtit për Asociacionin janë adresuar në draftin e FES-it

Mushkolaj: Kritikat e Kurtit për Asociacionin janë adresuar në draftin e FES-it

Aktuale January 30, 2023 - 19:15

Ish-gjykatësja e Kushtetueses, Gjyljeta Mushkolaj, e ka komentuar draft statutin e Asociacionit të Komunave Shumicë Serbe të cilin e ka përpiluar organizata gjermane Friedrich Ebert Stiftung.

Ajo ka thënë se ky propozim mund të mos merret parasysh por sipas saj i rëndësishëm është debati mbi këtë draft.

Sipas saj në procesin për shkrimin e këtij drafti kanë marrë pjesë shumë njerëz.

“Ajo që është e rëndësishme sot është debati rreth këtij draft-statuti, rreth themelimit të asociacionit. Të gjitha komentet e mia për këtë draft statut janë në tekstin shpjegues që janë bashkangjitur kësaj broshure”, ka deklaruar Mushkolaj.

Më tej, ajo ka thënë se të gjitha deklarata lidhur me Asociacionin i ka ndjekur madje edhe ato të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Një nga çështjet e kritikuara nga ana e kryeministrit, është adresuar në këtë model që është shpërndarë sot. Është theksi jo vetëm të emërtimi por te natyra e vet këtij asociacioni. Realisht këtu kemi të bëjmë me dhjetë komuna ku popullata shumicë është komuniteti”, ka theksuar ish-gjykatësja e Gjykatës Kushtetueses të Kosovës, Mushkolaj.

“Ky statut për asociacion është hartuar në atë mënyrë që të garantojë të drejtat e komuniteteve jo shumicë që jetojnë në ato komuna edhe një theks, jo vetëm implicit por edhe eksplicit për gjatë gjithë draftit, i vihet të drejtave të komuniteteve jo shumicë që jetojnë nëpër këto komuna”, ka shtuar ajo.

Ajo ka përfunduar duke thënë se edhe këto komuna kanë karakter multietnik siç ka shteti i Kosovës. /RTV Dukagjini