Garancia e fortë e Hovenierit për Kosovën, analistët me mendime të ndryshme për pozicionin e SHBA-së në dialog
Foto: Laura Hasani

Garancia e fortë e Hovenierit për Kosovën, analistët me mendime të ndryshme për pozicionin e SHBA-së në dialog

Aktuale January 31, 2023 - 23:29

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, tha të martën se Shtetet e Bashkuara mbështesin zbatimin e të gjitha zotimeve që dalin nga bisedimet Kosovë – Serbi, por nuk mbështesin asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas një debati me dyer të mbyllura për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që u mbajt në mjediset e ambasadës amerikane.

Në RTV Dukagjini analistë e politikanë kanë mendime të ndryshme në lidhje me qëndrimin e SHBA-së në lidhje me Kosovën.

Si mesazh i qartë, përmbajtjesor e shpresëdhënës është cilësuar deklarata e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier nga ana e juristit, Bardhyl Hasanpapaj.

Hasanpapaj ka thënë se deklarata e Hovenier ishte një mesazh që ofron garanci për Kosovën dhe popullin e saj.

“Mesazhi ishte goxha i qartë, mjaft përmbajtjesor i ambasadorit amerikan dhe ishte goxha shpresëdhënës. Ishte një mesazh që ofron garanci për Kosovën, për elitën politike dhe qytetarët e Kosovës. Për këtë iniciativë që ata e kanë marrë tashmë dhe duket që e kanë seriozisht por edhe po investojnë kohë, mund e energji, për të komunikuar edhe me qytetarët për natyrën e tij”.

Ai thotë se Asociacioni nuk është diçka që duhet të kemi frikë sipas SHBA-së.

Mirëpo, ish ministri Dardan Gashi thotë se qëndrimet amerikane duket se kanë ndryshuar nga ato që ishin shprehur në një letër që presidenti Biden para dy vitesh.

Gashi ka theksuar se në atë letër që e kishte dërguar në Kosovë para dy viteve, presidentit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, kishte pasur kërkesë që të bëhet marrëveshja me njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi rrëshqitur nga letra e Biden-it në një propozim evropian të Bashkimit Evropian, i cili është mjaft i paqartë se çfarë sjell në fund ai propozim. Këtu është problemi”, ka theksuar Gashi.

Nga ana tjetër, anëtari i Partisë Social Demokrate (PSD), Zgjim Hyseni u shpreh se kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk është duke e refuzuar arritjen e një marrëveshjeje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Bindja ime është që Kurti nuk është duke e refuzuar marrëveshjen, çështja është që ne nuk po marrim sa duhet mësim nga përvoja”, ka thënë Hyseni.

Ish deputeti Visar Ymeri thotë se kemi pasur kërkesa jashtëzakonisht të sinqerta nga SHBA-të, që ta marrin seriozisht procesin e Asociacionit, por që sipas tij nuk jemi angazhuar si shtet.

“Ne jo që nuk i kemi dëgjuar ato, por madje jemi sjellë me procesin në mënyrë jashtëzakonisht të papërgjegjshme dhe të paparashikueshme. Kujtojeni dhjetorin e vitit të kaluar se në çfarë situate e kemi sjellë vendin”, deklaroi Ymeri.