Shkojnë për t’u shëruar, mbi 600 pacientë infektohen brenda QKUK-së në vit
Foto: REL

Shkojnë për t’u shëruar, mbi 600 pacientë infektohen brenda QKUK-së në vit

Aktuale March 31, 2023 - 13:35

Agimi u shtrua në spital për të trajtuar një problem në mushkëri, por ndërkohë u diagnostikua edhe me infeksion nga bakteri Enterococcus.

Ekipi i REL-it vizitoi Qendrën Klinike Universitare të Kosovës më 21 mars dhe Agimi kishte më shumë se një javë që ishte shtruar në Klinikën Torakale.

Mjekët e kishin izoluar në një dhomë me kujdes të veçantë, nga frika se bakteri, që sulmon indin pulmonar, mund të përhapet edhe te pacientë të tjerë.

Disa metra më larg, Klinika e Kardiokirurgjisë ka të ndarë, po ashtu, një sallë të veçantë për pacientët me infeksione.

Sipas mjekëve, aty ditë më para kanë qëndruar dy pacientë që kanë rezultuar pozitivë me bakterin Acinetobakter.

Ky bakter, që haset zakonisht në tokë apo vende me lagështi, cenon sidomos pacientët me pneumoni dhe mund të jetë rezistent ndaj barnave.

Mjekët thonë se infeksionet brendaspitalore në QKUK janë shqetësuese, por edhe të pashmangshme.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Acinetobakteri dhe baktere të tjera hasen në shumë spitale në botë - “edhe atje ku kushtet janë më të mira”.

“Ne menjëherë i marrim masat e duhura, siç është izolimi i pacientit në një dhomë të veçantë. Pastaj, ndjekim protokollet adekuate që i kemi në kuadër të ekipit për parandalimin e këtyre infeksioneve”, thotë Shurdhiqi.

Mbi 600 infektime brendaspitalore në një vit

Një raport i brendshëm i Ekipit për Kontrollin e Infeksioneve Brendaspitalore në QKUK ka nxjerrë në pah se, gjatë vitit 2022, janë evidentuar mbi 600 raste me infeksione brendaspitalore, në klinika të ndryshme.

Shifra ka paraqitur rritje për gati dyfish nga viti 2020, kur janë regjistruar 356 pacientë me infektime brendaspitalore në QKUK.

Sipas raportit për vitin e kaluar, që ka parë REL-i, në Klinikën e Neonatologjisë janë evidentuar 261 raste të tilla, në Kirurgji Plastike 43, në Gjinekologji 13, në Ortopedi 8, në Nefrologji 5 e kështu me radhë.

Këto raste janë konfirmuar me ekzaminime mikrobiologjike, por, siç thuhet në raport, ka edhe raste që mbeten të paraportuara.

Klinika me rrezikun më të lartë për infektime brendaspitalore, sipas mjekëve, është ajo e Mjekimit Intensiv Qendror.

Dhoma për pacientë të izoluar në Kujdesin Intensiv në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK.

Në vitin 2022, atje janë identifikuar rreth 271 raste dhe, sipas raportit të Ekipit për Kontrollin e Infeksioneve Brendaspitalore, infeksionet kanë qenë në shkallë prej 42.61%.

Shefi i Intensives, Shaqir Uka, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë klinikë, nuk është e mundur të izolohen pacientët, pasi vetë struktura e funksionimit të saj është e tillë.

“Në njësinë intensive ka një frekuentim të madh të pacientëve nga të gjitha klinikat dhe nga jashtë. Kjo është arsyeja numër një që në njësinë intensive, ku ne menaxhojmë, nuk e kemi komoditetin dhe nuk mund të themi se u shpëtojmë infeksioneve brendaspitalore”, thotë Uka.

Ekipi për Kontroll të Infeksioneve Brendaspitalore ka rekomanduar një varg masash për të ulur rrezikun e infeksioneve - mes tjerash: rritjen e nivelit të higjienës në klinika dhe klimatizimin qendror në salla të operacionit.

Por, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, QKUK-ja, për më shumë se një vit, ka mbetur pa kompani që do të duhej të bënte dezinfektimin dhe dezinsektimin brenda këtij institucioni.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU